75 Mall Live Search
12:12 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / MSH

Osmani për Serbinë: Neni 1 dhe 2 e detyrojnë ta njohë dhe respektojë integritetin territorial të Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësisht asaj që janë dakorduar në Ohër, teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet.

Osmani tha se neni 4 i marrëveshjes e obligon Serbinë që mos të kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, raporton Indeksonline.

“Serbia ende pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, një lloj siç ndodhi edhe në shkurt, e përseriti të njëjtin veprim edhe në mars, tregoi që premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike e as juridike, dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ai [Vuçiq] nuk do të zbatojë obligimet të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi”, tha presidentja Osmani.

Osmani shtoi se neni 1 dhe 2 përcaktojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare, që detyrojnë Serbinë ta njeh dhe respektojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Neni 4 i marrëveshjes i cili mbetet në fuqi e obligon Serbinë që mos të kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.”

Osmani ndër të tjerash tha se kur Serbia tregon që nuk do të zbatojë asnjëren prej këto, duke kërkuar edhe vulosjen nga Kuvendi i Serbisë që mos ta zbatojë atë për të cilën është dakorduar, e rrezikon në esencë këtë dakordim apo marrëveshje.

Sipas të parës së vendit, i gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë./Indeksonline/