Përfundon takimi i Kurtit me krerët e opozitës, deklarohet Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar për mediet pas takimit të përbashkët të opozitës me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Krasniqi ka thënë se kanë biseduar për situatën në veri të vendit.
Në këtë moment, ai ka thënë se Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që ruajnë sovranitetin në çdo centimetër.
Sipas kreut të PDK-së, qeveria duhet t’i ndërmerr veprimet që i takojnë për të ruajtur sukseset e arritura pas pavarësisë së Kosovës, dhe për këtë ka thënë se e ka përkrahjen e PDK-së.
“Unë nuk mund të them se çka duhet bëjë qeveria për ta sjelle normalitetin, sot e kemi një situatë të re që ka mund të shmanget. Mungesa e koordinimit me aleatët kryesorë, duket se kanë sjellë një momentum që ka mund të shmanget”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se ka dalë nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria do të dijë të dal suksesshëm nga kjo rrugë, duke ruajtur funksionimin e shtetit siç e kemi pasur.