13:04 / E Hënë, 31 Korrik 2023 / mp

Sulmohet infermieri në Pejë, reagojnë Sindikatat e shëndetësisë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj rreth sulmit fizik ndaj infermierit në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

FSSHK thekson në një reagim se dënon çdo akt apo formë të dhunës, e në veçanti, dhunën fizike e cila është kthyer në një fenomen ndaj mantelbardhëve.

Kjo federatë ka kërkuar nga organet e rendit dhe të sigurisë që të gjitha këto sulme dhe kryerësit e tyre të nxirren para drejtësisë.

“Mantelbardhët të gjithë pa dallim janë maksimalisht të përkushtuar dhe të pregatitur profesionalisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit, duke punuar edhe në kushte jo shumë të favorshme,të cilat janë edhe njëra nga arsyet e shpërthimit të dhunës nga ana e pacientëve qytetar të këtij vendi”.

FSSHK vazhdon dhe përsërit kërkesën ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK dhe Komunave që sigurinë e punëtorëve shëndetësor ta trajtojnë me prioritet.