75 Mall Live Search
10:44 / E Martë, 15 Mars 2022 / LB

Trusti deklarohet për propozimin që t’i mundësohet qytetarëve tërheqja e mjeteve deri në 30% nga ky institucion

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30%.

Ai ka thënë se këtë veprim e ka ndërmarre me kërkesë të shumë qytetarëve ë Kosovës, pas shtrenjtimit të rrymë edhe të gjitha produkteve të konsumit ditor.

Në anën tjetër, nga Trusti i Kosovës deklarohen se nuk kanë kompetence për të komentuar iniciativat e deputetëve dhe as të Kuvendit.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi ka thënë se nëse vijnë në atë pikë ku do të miratohej ky projektligj, atëherë mund të flasin.

“Ne nuk kemi kompetence në iniciativat e deputetëve dhe as Kuvendit. Kompetencat tona janë të ndërlidhura me administrimin dhe menaxhimin e fondeve pensionale deri në pensionim të kontribuuesve. Nuk e kemi kompetencë me gjyku deklarimet e askujt tjetër. Nëse vijmë në atë pikë të miratimit, atëherë mund të flasim në këtë moment nuk kemi çka të diskutojmë si institucion”, ka thënë Demi për Indeksonline.

Ditë më parë, deputetë të LDK-së dhe të Vetëvendosjes janë deklaruar kundër tërheqjes së mjeteve të sërishme nga Trusti./Indeksonline/