15:40 / E Enjte, 07 Korrik 2022 / LB

“S’i ke bo nder vetës”, “Turp”, përplasen Albulena Haxhiu dhe Rashit Qalaj i PDK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj kanë debatuar gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit për Byronë Shtetërore. Qalaj ka kërkuar nga Haxhiu që “të mos shes moral”. Ndërkaq, kjo e fundit ka kritikuar ish-drejtorin e Policisë për angazhimin e tij politik.

Gjatë seancës plenare, deputeti Rashit Qalaj ka kërkuar nga ministrja Haxhiu të jetë më e kujdesshme, duke theksuar se është turp që e njëjta të flas për disa gjëra në Kuvend.

“Me na shit moral është bukur mirë, por jo nga ju. Ju e dini ministër e nderuar çfarë keni bërë në këtë kuvend, e dini mirë. Besoj që është turp ju të flisni për disa sene. Besoj që është turp me fol për disa sene ju personalisht. Ne jemi deputet këtu dhe kemi të drejtë të kemi opinionin tonë. Ju jeni ministre e qeverisë që të mbroni ligjin këtu. Mirëpo, të jeni më të kujdesshme kur i drejtohuni deputetëve. Se mund të kthehet boomerang”, ka deklaruar ai.

Haxhiu i është kundërpërgjigjur, duke vlerësuar se ka qenë gabim nga drejtori i policisë për një kohë të shkurtër të angazhohet në parti politike.

“Për veprimet tona politike në Kuvendin e Kosovës ne jemi përgjigjur para ligjit. Pavarësisht që kanë qenë politike, ne jemi dënuar nga gjykata për ato. Dhe asnjëherë pishman nuk i bijmë për gazin lotsjellës, asnjëherë. Sepse, kanë qenë veprime politike dhe pikërisht falë asaj rezistence në kuvend dhe jashtë kuvendit, sot nuk e kemi Zajednicën. Për mua nuk është normale nëse një drejtor i policisë sapo e përfundon mandatin shkon në parti politike. Zotëri Qalaj e kam për juve sepse lidhet drejtpërdrejt edhe me shtetin, nuk është mirë drejtori i policisë me përfundua në parti politike, të paktën jo për një kohë. Mendoj që nuk i ke bërë nder as vetës e as partisë tënde”, ka deklaruar ajo.