13:25 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

HULUMTIM (2): OSHP-ja dhe Ministria e FSK-së i japin tender 8.4 milionësh, kompanisë me certifikata false

Jeton Sopa/ Indeksonline

Tenderi për furnizim me ushqim për kazermat e FSK-së i kushtoi Ministrisë së Mbrojtjes  8.417.800 euro. Ky tender me vendim të OSHP-së u rikthye në rivlerësim 4 herë derisa iu dha kompanisë “Beni Dona Plast” për 1.217.800 euro më shtrenjtë se kompania, e cila e kishte fituar tri herë me radhë, pra gjithsejtë 7.211.800 euro.

Në hulumtimin, që ka bërë Indeksonline me këto dy seri shkrimesh, kemi vënë re se edhe pse kompania “Beni Dona Plast” e fitoi këtë tender për 1.2 milionë euro më shumë në dosjen e saj, ajo kishte aplikuar me certifikata të falsifikuara të ISO standarteve ushqimore ndërkombëtare.

Në dosjen e tenderit të kompanisë “Beni Dona” ndodhen dy certifikata të ISO standarteve për ISO 22000:2005 dhe ISO 9001:2015, konkretisht certifikata no. 02780/BEN22D dhe tjetra: 02780/BEN09D të lëshuara nga kompania gjermane “RoyalCert International Registars GmbH” me seli në Frankfurt.

Indeksonline, ka siguruar një komunikim midis kompanisë konkurrente “Global Parajsa”, që kishte fituar tri herë me radhë këtë tender dhe kompanisë “Royal Cert Albania”, e cila është përfaqësuese e kompanisë gjermane “Royal Cert” nga Gjermania, ku e kishte pyetur rreth validitetit të certifikatave të kompanisë “Beni Dona”.

Rreth përgjigjes së saj të 8 janarit 2020, përfaqësuesi nga Shqipëria thotë se:

1. certifikata ISO 22000 është lëshuar nga një auditor maqedonas, por që certifikata ka skaduar që më 6.04.2018 dhe jo në maj të 2019-s. Data 22.05.2019, që e ka të stampuar certifikata në foto, nuk është e saktë, ajo është e MANIPULUAR, ndryshuar ose nga vetë kompania ose nga auditori nga Maqedonia, që ka lëshuar çertifikatën. Kjo akoma po hetohet nga “Royal Cert International”.

2. Certifikata ISO 9001 nuk ka lidhje fare me “RoyalCert”. Është komplet e manipuluar, false. Ajo mund të jetë manipuluar ose nga vetë kompania ose nga auditori maqedonas. Kjo po verifikohet më tej nga “RoyalCert”.

Dokumenti nga përfaqësuesja e kompanisë “Royal-Cert” në Shqipëri

Pra, për të dyja këto dy certifikata kompania nga Shqipëria thotë se njëra ka afat të skaduar dhe i është ndryshuar data, ndërsa për tjetrën thotë se nuk ekziston fare. Për këto falsifikime, përfaqësuesja e kësaj kompanie në Shqipëri thotë se e ka njoftuar kompaninë “Royal Cert”, në Gjermani. Me të marrë informacionin, kompania gjermane kishte hulumtuar rastin dhe e kishte vërtetuar fasfikimin e certifikatave të saj, menjëherë e kishte njoftuar kompaninë “Beni Dona”, ku i kishte thënë se ajo menjëherë duhet t’i largojë nga përdorimi këto certifikata dhe e kishte paralajmëruar për masa ligjore. Indeksonline ka siguruar këtë e-mail të kompanisë gjermane, që ia kishte dërguar kompanisë “Beni Dona” më 7 janar 2020, ku në të thuhet se:

“Të nderuar, zonja, zoteri. Ne kemi gjetur dy (2) certifikata në përdorim të kompanisë suaj, duke deklaruar se jeni certifikuar nga ne për ISO 19001:2015 dhe ISO 22000:2005, që të dyjat valide deri më 22.05.2019. Këto dy(2) certifikata nuk janë lëshuara nga ne. Prandaj janë të pa-firmosura (vulosur) dhe jo valide. Ju duhet menjëherë të ndaloni që t’i përdorni ato dhe t’i largoni, në të kundërtën ne do të marrim masa ligjore. Na informoni brenda 7 ditësh në vijim se çfarë hapa keni ndërmarrë që t’i largoni certifikatat. Me nderime, Caroline Hofner, menaxhere operative.

Dokumenti i dërguar kompanisë “Beni-Dona” nga kompania gjermane “Royal-Cert”

Për të gjitha këto gjetje, Indeksonline ka kontraktuar përmes telefonit me kompaninë “Beni Dona Plast” ku zyrtari ligjor i kësaj kompanie thotë se këto pyetje duhet të na i dërgoni përmes e-mailit zyrtar e pastaj do të merrni përgjigjet brenda ditës. Kanë kaluar 5 ditë që nga dita e enjte dhe ne nuk e kemi marrë asnjë përgjigje nga kompania për rastin në fjalë.

Indeksonline ka kontaktuar përmes e-mailit zyrtar edhe me OSHP-në dhe kemi pyetur për gjithë ecurinë  e procesit të këtij tenderi prej më shumë se 8 milionë euro dhe ka kërkuar sqarime nga OSHP-ja se pse është favorizuar kompania “Beni Dona” nga OSHP-ja dhe pse nuk janë marrë për bazë ankesat e operatorëve të tjerë kur kanë prezantuar dokumente të falsifikuara nga kompania “Beni Dona”?

Me gjithë konfirmimin që na është bërë nga  OSHP-ja për pranimin e pyetjeve ky organ nuk ka kthyer përgjigje as pas 5 ditësh. U mbetet organeve të hetuesisë për ta hetuar këtë mega-tender, i cili u dha për 1.2 milionë euro më shtrenjtë, duke zvarritur për dy vjet me radhë dhe shoqëruar me shumë parregullsi.