10:36 / E Hënë, 09 Mars 2020 / indeksADMonline

Hulumtim:Keqpërdorime milionëshe në tenderin për ushqim në FSK, e përfshirë edhe OSHP-ja?

Jeton SOPA/IndeksOnline

Ministria e Mbrojtjes në prill të 2018-s kishte shpallur tender për: “Shërbimet me ushqim (furnizim), përgatitje dhe servim nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së”.

Për këtë tender kishin konkurruar katër kompani dhe konsorciume vendore dhe ndërkombëtare, ku tri prej tyre ishin shpallur si të përgjegjshme nga Autoriteti Kontraktues (AK), Ministria e Mbrojtjes.

IndeksOnline e ka bërë një hulumtim ekskluziv dhe të detajuar rreth gjithë procesit të këtij tenderi shumëmilionësh.

Më 28 qershor 2018 Autoriteti Kontraktues kishte shpallur fituese konsorciumin NTP “Global Parajsa” nga Vushtria & “Ciano Trading & Services”, kompani italiane me renome ndërkombëtare. Kjo e fundit njihet si furnizuese kryesore me ushqim të bazave të KFOR-it në Kosovë ndërsa “Global Parajsa” ka një përvojë 15 vjeçare në fushën e gastronomisë e cila furnizon me ushqim Akademinë Policore në Vushtri, Policinë e Kosovës dhe shumë institucione shtetërore.

Njoftimi i AK-së për dhënie të tenderit në herën e parë

Kriter bazë për dhënien e këtij tenderi ka qenë çmimi më i ulët, ku me të drejtë e kishte fituar konsorciumi në fjalë në vlerën prej 7 milionë e 211 mijë euro.

Si përfundoi ky tender për 1.206 .000 euro më shtrenjtë te kompania “Beni Dona”, e cila e fitoi për 8.417.000 euro?

Si e detyroi Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili udhëhiqet nga Blerim Dina, Autoritetin Kontraktues (Ministrinë e Mbrojtjes) ta jepte këtë tender te kompania tjetër që ishte shumë më e shtrenjtë?

Si u shpall fituese kompania “Beni Dona”, e cila përveç se kishte çmimin më të shtrenjtë në dosjen e tenderit kishte falsifikuar dokumente të kompanisë gjermane “RoyalCert International Registrars GmbH me seli në Frankfurt e cila lëshon çertifikata  për ISO standardet ushqimore?

Kur dukej se gjithçka po shkonte në rregull dhe AK-ja ishte në prag të nënshkrimit të tenderit me kompaninë fituese, Gjykata e tenderëve, OSHP-ja pas ankesës së kompanisë “Beni Dona”, ia kishte sjell një vendim Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktues dhe këtë tender e kishte kthyer për rivlerësim. Odisejada e këtij tenderi ndërmjet OSHP-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes kishte vazhduar dy vjet me radhë, duke e rikthyer në rivlerësim katër herë derisa iu dha kompanisë “Beni Dona” në dhjetor të vitit 2019.

OSHP-ja kur e kishte kthyer në rivlerësim tenderin në fjalë si arsyetim të vetëm kishte thëne se Operatori Ekonomik (OE) “Global Parajsa” & “Ciano Trading & Services”, që kishte fituar tenderin, s’e kishte diplomën master të inxhinierit të teknologjisë ushqimore ku në dosjen e tenderit ishin kërkuar dy të tillë. Ndërsa konsorciumi fitues në dosjen e tenderit i kishte ofruar tre tituj, ku njëri prej tyre është italian, i cili është edhe menaxher kryesor i projektit dhe ka titullin doktor shkence i teknologjisë ushqimore e që njëherësh është edhe aksionar i kompanisë italiane “Ciano Trading & Services” dhe dy shqiptarë me titullin bachelor i teknologjisë ushqimore.

OSHP-ja nuk e merr për bazë rekomandimin e ekspertit të saj!

Herën e parë kur ishte kthyer lënda në rivlerësim, OSHP-ja kishte angazhuar ekspertin e saj Hasim Krasniqi për ta vlerësuar ankesën e kompanisë “Beni Dona”. Dhe në konkluzionet e tij eksperti i OSHP-së ankesat e OE-së i kishte miratuar si pjesërisht të bazuara, por kishte thënë se: duke pasur parasysh ekonomicitetin (mbi 1.2 milionë euro më lirë) konstatoi se shkeljet e hasura në aktivitet të prokurimit janë të vogla andaj rekomandoi që njoftimi për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues të mbetet në fuqi.

Mendimi i ekspertit të OSHP-së i cili konstaton se tenderi 7.2 mil. euro ishte në rregull

Por, për habi paneli shqyrtues i OSHP-së, i cili udhëhiqet nga kryetari Blerim Dina e kishte dërguar tenderin në rivlerësim tek Autoriteti Kontraktues. Megjithatë Ministria e Mbrojtjes si autoritet kontraktues në rivlerësimin që ia kishte bërë tenderit për furnizim me ushqim të kazermave të FSK-së, përsëri ia kishte dhënë konsorciumit “Global Parajsa” & “Ciano Trading & Services”, duke qenë se ky konsorcium ishte për 1.2 milionë euro më lirë se dy kompanitë e tjera.

Kompania “Beni Dona”, përsëri kishte bërë ankesë në OSHP dhe Gjykata e Tenderëve sërish me po të njëjtat arsye e kishte dërguar lëndën në rivlerësim tek Autoriteti Kontraktues.

Ndërsa Autoriteti Kontraktues përsëri e ka shpallur fitues kompaninë e njëjtë po me të njëjtat arsye. E kjo sagë vazhdon edhe dy herë të tjera derisa për herë të katërt, Ministria e Mbrojtjes kishte shpallur fituese kompaninë “Beni Dona”. Kjo kompani deri në vitin 2018 e kishte fituar tenderin për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së dhe zvarritja e këtij tenderi po i konvenonte pasi që Ministria e Mbrojtjes për të mos i lënë ushtarët pa ushqim ia kishte vazhduar në mënyrë të paligjshme, si kontratë me negocim për tri  herë me radhë nga gjashtë muaj, e që gjithsej kap vlerën e rreth 5 milionë eurove.

Njoftimi i AK-së ku për herë të katërt i kishte dhënë tenderin prej 8.4 mil. euro “Beni Dona Plast”

Menjëherë pas shpalljes fituese të kompanisë “Beni Dona” në dhjetor të 2019-s, kompanitë konkurrente kishin bërë ankesë në OSHP. Konsorciumi “Global Parajsa” & “Ciano Trading & Services” e kishte hulumtuar dosjen e tenderit të kompanisë fituese “Beni Dona Plast” dhe përveç shkeljeve që kishte gjetur në referencat e saj, ku nuk e kishte plotësuar kriterin për qarkullim prej 10 milionë eurosh brenda tre vjetësh, në dosjen e tenderit kishte gjetur edhe dokumente të FALSIFIKUARA nga kompania “Beni Dona Plast”. Të gjitha këto gjetje “Global Parajsa” & “Ciano Trading & Services” i kishte futur në ankesën e saj, dërguar OSHP-së dhe për habi OSHP-ja s’e kishte marrë fare në shqyrtim këtë ankesë ku në vendimin e saj të 2 marsit të këtij viti  e kishte hedhur poshtë, duke e quajtur të palejuar pa dhënë kurrfarë arsyesh.

OSHP-ja hedhë poshtë ankesat e OE dhe konfirmon tenderin kompanisë “Beni Dona Plast”

Indeksonline për ditë me radhë ka shfletuar të gjithë këtë dosje prej qindra faqesh, ku janë të dokumentuara me fakte këto shkelje e ku vërehet një konfuzitet i OSHP-së, që bie në kontradiktë me vendimet e saj. Është e habitshme se si paneli i OSHP-së nuk e merr fare për bazë ekspertin e saj ligjor, Hasim Krasniqi, i cili në mendimin e tij të fundit konstaton se kompania “Beni Dona Plast” është e papërgjegjshme dhe tenderi i fituar nga ajo në vlerën prej 8.4 milionë eurosh duhet të kthehet në rivlerësim pasi që kishte shumë shkelje. Më 2 mars 2020, OSHP-ja i hedh poshtë ankesat e operatorëve të tjerë ekonomikë dhe i miraton tenderin e fituar me shumë parregullsi kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila e kishte fituar këtë tender për më shumë se 1.2 milionë euro se operatori më i lirë.

Mendimi i katërt i ekspertit të OSHP-së i cili konstaton se lënda duhet të kthehet në Rivlersim, pasi tenderi iu dha kompanisë “Beni Dona Plast”

Nësër do të lexoni: Si i falsifikoi certifikatat e ISO standarteve kompania “Beni Dona”?

Pse nuk e mori fare për bazë këtë skandal OSHP-ja?

Çfarë thotë kompania gjermane për falsifikimin që ua kishte bërë certifikatave të saj kompania “Beni Dona Plast”?. /IndeksOnline/