75 Mall Live Search
19:12 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / H F

Hulumtimet tregojnë se t’u përgjigjesh mesazheve të punës pas orarit të shkurton jetën!

T’u përgjigjesh mesazheve të punës jashtë orarit, qoftë në mbrëmje, fundjavë apo gjatë festave, është bërë një praktikë e zakonshme për shumë punonjës.

Por sipas hulumtimeve të fundit, kjo sjellje po rrezikon seriozisht shëndetin mendor dhe fizik.

Studiuesit theksojnë rëndësinë e asaj që quhet “shkëputje psikologjike nga puna”, një proces thelbësor që ndodh kur një individ largohet si mendërisht ashtu edhe fizikisht nga detyrat dhe përgjegjësitë profesionale.

Kjo shkëputje është mënyra e vetme që trupi dhe mendja të rikuperohen plotësisht pas një dite pune.

Mirëpo, ndërprerjet e pushimit, si rezultat i mesazheve të pashmangshme nga kolegët apo eprorët, e prishin këtë ritëm natyral të rimëkëmbjes.

Ekspertët paralajmërojnë se përgjigjja ndaj mesazheve të punës jashtë orarit jo vetëm që shton stresin, por me kalimin e kohës mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, energjinë, humorin dhe imunitetin. Si pasojë, rritet rreziku për lodhje kronike, ankth dhe probleme shëndetësore afatgjata.

Punonjësit që nuk arrijnë të shkëputen nga puna raportojnë nivele më të ulëta produktiviteti ditën tjetër, si dhe pakënaqësi në jetën personale.

Specialistët theksojnë se pushimi nuk duhet parë si luks, por si domosdoshmëri për mirëqenien e secilit.

Për të ruajtur balancën, rekomandohet vendosja e kufijve të qartë të komunikimit, respektimi i orarit të pushimit dhe krijimi i një kulture pune që vlerëson shëndetin e punonjësve po aq sa performancën e tyre.