12:55 / E Premte, 06 Shtator 2019 / indeksADMonline

Hulumtuesi dhe stomatologu kosovar, që jeton në Angli, bëhet pjesë e Vetëvendosjes

Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar një emër i ri në fushën e shkencës. Bëhet fjalë për Valdet Januzajn, i cili jeton dhe vepron në Angli.

Këtë e ka bërë të ditur lideri i VV-së, Albin Kurti, ku edhe ka prezantuar Januzajn:

Valdet Januzaj me prejardhje është nga Istogu, por që nga viti 1991 ka jetuar në mërgim. Në vitin 2000 Valdeti përfundoi studimet në kirurgji dentare pranë Institutit Karolinska në Stockholm, i cili njihet si qendër botërore për studime dhe hulumtime në shkencat mjekësore. Gjatë kësaj kohe ka qenë kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve “Iliria” si dhe është angazhuar në Zyrën e Kosovës për Skandinavi, me seli në Stockholm. Valdeti për një kohë ka ushtruar profesionin Doktor i Stomatologjisë në Suedi, e pastaj është shpërngulur në Angli, ku ka vazhduar profesionin si dhe studimet pasuniversitare. Ai ka qenë pronar i një poliklinike për disa vite në Angli. Studimet pasuniversitare i ka vazhduar në dy fusha: Stomatologji (Ëarëick University, Coventry) dhe Menaxhment dhe Mentorim Modern (Royal College of Surgeons, London).

Kushtet për investime në vendet e Bashkimit Evropian ishin shumë më të favorshme, mirëpo Valdeti që nga viti 2004 filloi tërheqjen e këtyre investimeve me qëllim kthimin në Kosovë. Investimet janë bërë kryesisht në 3 sektore: shëndetësi, hotelieri, si dhe në projekte të infrastrukturës. Para 5 vitesh ka realizuar atë që gjithmonë e ka synuar, kthimin e përhershëm për të jetuar dhe vepruar në Kosovë.

Për më tepër se kaq, Valdeti ka vendosur që kontributin më të madh për Kosovën ta jap pikërisht përmes angazhimit në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku edhe zyrtarisht u anëtarësua. E mirëprita bashkë me kryetarin e Qendrës sonë në Istog, Agron Avdijaj. Kosova ka nevojë për njerëz si Valdeti që janë të gatshëm të kthehen e të investojnë këtu, por edhe për Lëvizjen tonë, qeverisja e së cilës do të krijojë lehtësime për investime të mërgatës në Kosovë.