75 Mall Live Search
19:03 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / S Z

Humb jetën 77 vjeçari në Fushë- Kosovë, bie në hapësiren e liftit

Një person në Fushë Kosovë ka humbur jetën, pasi që ka rënë nga lartësia, në hapësiren ku ishte paraparë të vendosej ashensori, pasi që objekti ishte në ndërtim e sipër.

Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra ka thënë për “Indeksonline” se ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e  ngjarjes dhe kanë tërhequr trupin nga puseta, ku kishte rënë personi.

 “Në orën 13:47 minuta keni pranuar një informatë dhe ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes. Një person ka rënë nga lartësia në një pusetë. Ai ishte vend i paraparë për ashensor, pasi që objekti është në ndërtim e sipër dhe ashensori ende nuk është vendosur.  Zjarrfikësit e kanë tërhequr personin nga thellësia ku ka rënë“, tha ai.

Rasti për Indeksonline është konfirmuar dhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti, ka thënë se viktima është një 77 vjeçar dhe se rasti është duke u hetuar nga njësitët kompetente.

“Sot në stacionin policor të Fushë- Kosovës, është iniciuar një rast Hetim mbi vdekje. Rasti ka ndodhë në rrugën Agron Rrahmani në Uglarë, ku ka humbur jetën viktima mashkull, 77 vjeç. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë”, ka thënë Ahmeti./Indeksonline/