Humbi në Rahovec, reagon Dula: Pavarësisht rezultatit përfundimtar, unë mbetem i përkushtuar ndaj secilit prej jush
Kandidati i LVV-së për kryetar të Rahovecit, Ali Dula, ka reaguar pasi sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai ka humbur garën kundër kryetarit aktual, Smajl Latifi.
Ai ka thënë se pavarsisht rezultatit do të qëndrojë i përkushtuar ndaj qytetarëve të kësaj komune.
Dula ka falënderuar qytetarët të cilët i dhanë mbështetje në Rahovec.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të komunës sonë të dashur, Rahovec,
Nga zemra ju falënderoj për 7525 ❤️, për mbështetjen, besimin dhe votën tuaj. Çdo votë, çdo fjalë e mirë dhe çdo pritje që më keni bërë gjatë këtij rrugëtimi kanë qenë një motiv i madh për mua dhe ekipin tim. Rezultati i ngushtë është tregues i qartë se ne ishim në rrugë të mbarë dhe alternativa jonë ishte e drejtë, profesionale dhe demokratike. Si asnjëherë më parë, ngritja jonë në komunën e Rahovecit, erdhi duke u fuqizuar nga ju.
Rezultati i ngushtë po ashtu tregon qartë se Rahoveci është komunë e vetëdijshme, që vlerëson punën, ndershmërinë dhe përkushtimin. Jam krenar që këtë garë e përmbyllëm faqebardh me çdo njeri, pa fyerje, me respekt e dinjitet, ashtu siç i ka hije qytetarisë sonë.
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, unë mbetem i përkushtuar ndaj secilit prej jush. Do të jem pranë njerëzve, pranë nevojave të komunitetit tonë, dhe gjithmonë i hapur për bashkëpunim e ide që e çojnë Rahovecin përpara.
Faleminderit për mikpritjen, për përkrahjen dhe për besimin që ma dhatë. Së bashku kemi dëshmuar se politika mund të bëhet me zemër e me nder./Indeksonline/

