21:55 / E Diele, 28 Prill 2024 / AR

Humbja ndaj Heidenheim i kushtoi shumë Darmstadt-it, skuadra e Gjasulës bie nga Bundesliga

Darmstadt bëhet skuadra e parë që bie matematikisht nga elita e futbollit gjerman, Bundesliga.

Humbja 0-1 ndaj Heidenheim këtë të dielë, takim i javës së 31-të të Bundesliga, i kushtoi shumë skuadrës, pjesë e së cilës është edhe lojtari i kombëtares shqiptare të futbollit, Klaus Gjasula.

Ndërsa kanë mbetur edhe tre javë kampionat, Darmstadt ka 11 pikë më pak se Mainz, skuadra e vendit të 16-të, që do ketë në fund të sezonit edhe një mundësi për të mbijetuar.

Vlen të theksohet se kontrata e Gjasulës me Darmstadt-in skadon më 30 qershor dhe mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e mesfushorit “kuqezi” pas kësaj vere.