08:55 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Hungaria në orë policore, oficerët bashkëpunojnë me ushtrinë dhe njësinë e antiterrorizmit

Policia hungareze, ushtria dhe njësia e anti-terrorizmit po bashkëpunojnë për të siguruar që shtetrrethimi në vend po respektohet. Në një qytet thuajse bosh nuk mungojnë as gjobat apo paralajmërimet.

Pas orës 20:00, në rrugët e Hungarisë nis të mbretërojë heshtja. Por për disa të tjerë është thjesht nisja e punës.

Policët patrullojnë gjatë të gjithë natës në rrugë për t’u siguruar që shtetrrethimi i vendosur për të parandaluar përhapjen e coronavirusit po respektohet.

Nga ora 20:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit njerëzit mund të largohen nga shtëpia vetëm nëse duhet të shkojnë në punë apo të shëtisin qenin. Nëse jeni jashtë mund të ndaloheni nga policia.  Procedura është e thjeshtë.

“Me tregoni ID tuaj ju lutem dhe një vërtetim pune dhe kaq. Ata të kontrollojnë dhe më pas të falenderojnë, e të përshëndesin”, shprehet një qytetar në Hungari. 

Gjatë javëve të fundit policia ka dhënë 8 mijë paralajmërime dhe gjoba për të gjitha ata që kanë thyer rregullat.

Oficerët e policisë nuk janë të vetmit që patrullojnë. Në rrugë shihen edhe pjesëtarë të ushtrisë dhe të qendrës kundër terrorizmit.

Të veshur me rroba ushtarake, të armatosur si dhe të shoqëruar me makineri të rëndë, qëllimi i tyre është që të parandalojnë elementët kriminalë të përfitojnë nga boshatisja e rrugëve. Këdo që pyetëm në qendrën e qytetit ishin të kënaqur me prezencën e policisë. Por jo të gjithë mirëpresin shtetrrethimin.

“Duhet ta them policia po bën një punë shumë të mirë,  por nuk jam i kënaqur me shtetrrethimin,  sepse gjatë ditës të gjithë janë jashtë”, tha një tjetër qytetar.

E ndërsa nata vjen, trafiku zhduket edhe nga pikat më të ngarkuara.

“Një nga sheshet më të famshme të Budapestit, një nga zonat më të ngarkuara të qytetit në orën 22:00 është pothuajse bosh. Shtetrrethimi do të zgjas të paktën deri në 11 Dhjetor”, raportoi  gazetari i Euronews, Ádám Magyar. /Euronewsal