21:04 / E Hënë, 18 Shtator 2023 / AR

Hunter Biden ngre padi ndaj agjencisë së taksave

Hunter Biden paraqiti të hënën një padi gjyqësore ndaj agjencisë së taksave IRS, duke akuzuar se dy punonjës që pretenduan se pati ndërhyrje për rastin e tij, shpërndanë pa autorizim të dhënat personale të taksave. Ky zhvillim ndodh në një kohë kur pritet të shtohen përplasjet ligjore dhe politike për zgjedhjet e vitit 2024.

Padia thotë se dy punonjësit “vendosën në objektiv dhe u përpoqën ta vënë në pozitë të vështirë zotin Biden”. Zoti Biden thotë se parashikimet ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, nga të cilat kërkojnë të përfitojnë punonjësit në fjalë, nuk përfshijnë ndarjen e të dhënave konfidenciale në intervista me shtypin, apo gjatë dëshmive në Kongres.

Padia vjen ndërsa një hetim i zgjatur ndaj Hunter Biden-it po vazhdon të marrë formë në një sfond politik me ndasi të theksuara, përfshirë një hetim për ngritje akuzash në Kongres me qëllim shkarkimin e babait të tij, Presidentit Joe Biden.

Ndaj Hunter Biden-it u ngritën akuza ditë më parë se pati gënjyer për përdorimin e drogës, gjatë blerjes së një arme në tetor 2018. Avokatët e tij kanë sinjalizuar se do t’i kundërshtojnë akuzat. Kjo çështje ka gjasa të shndërrohet në një proces gjyqësor të profilit të lartë ndërsa afrojnë zgjedhjet e vitit 2024.

Padia e re civile e paraqitur në Uashington akuzon se në publikimet e paautorizuara përfshiheshin deklaratat e taksave të viteve konkrete që po hetoheshin, përfshirë zbritjet nga taksat dhe aludimet për detyrime të prapambetura. Padia nuk vë në dyshim vetë procesin hetimor, por kërkon “zbatimin e ligjit federal për taksat dhe privatësinë”, si dhe të ndalë përhapjen e “akuzave të pabaza” dhe “publikimin e paligjshëm” të të dhënave të tij të taksave.

Agjenti përgjegjës në agjencinë e taksave, Greg Shapley, dhe agjenti Joe Ziegler, thanë gjatë dëshmisë në Kongres se pati një model “hapash të ngadaltë hetimorë” për rastin e Hunter Biden-it. Të dy punonjësit kanë mohuar të kenë motive politike. Ata kanë aluduar se prokurori që drejtonte hetimin, prokurori i Dellauerit, David Weiss, nuk kishte autoritetet të plotë për të ngritur akuza dhe në juridiksione të tjera.

Prokurori Weiss, i emëruar fillimisht nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe që u mbajt në këtë detyrë për të mbikëqyrur çështjen hetimore ndaj Hunter Biden-it, ka mohuar t’i ketë munguar autoriteti për të ngritur akuza. Edhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka thënë se prokurori Weiss “ka autoritet të plotë”.

Megjithatë, prokuroi Weiss kërkoi statusin e prokurorit të posaçëm, që iu dha muajin e kaluar. Ai ka tashmë autoritet të zgjeruar për të hetuar dhe për të raportuar për gjetjet e tij.

Hunter Biden pritej të pranonte fajësinë për akuzat për shkeljet për mospagimin në kohë të taksave, në një marrëveshje paraprake të arritur me prokurorët, ku përfshihej edhe fajësia për pronësinë e armës. Marrëveshja u rrëzua megjithatë në gjykatë, pasi gjykatësi ngriti pikëpyetje. Republikanët e kishin kritikuar marrëveshjen si të favorizuar.

Agjencia e taksave IRS dhe avokatët e punonjësve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./VOA