19:37 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

‘Hvala Predsednik!’, ‘Grazie Signora!’. E përse i duhet Prishtinës dialogu me Beogradin?!

Sikurse presidenti serb në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Aleksandër Vuçiq, pothuaj në të njëjtën kohë në Bruksel, shefja për politikë të jashtme e BE-së, zonja Federica Mogherini, deklaruan njëzëri: S’ka dialog me Prishtinën derisa të hiqet taksa 100%.

Të thuash se ky qëndrim është naiv dhe absurd është pak. Madje qesharak. Një pyetje shumë e thjeshtë do ta vinte në pah groteskun e zonjës Mogherini dhe z. Vuçiq. E përse i duhet Kosovës dialogu me Beogradin?

E dashur zonjë, i nderuar zotëri, rruga e Prishtinës për në Evropë nuk kalon nëpër Beograd. As nëpër Itali. Rruga e Prishtinës kalon nëpër kishat paleokristiane ku lindi edhe ky qytetërim. Ndërkaq që ju kishit problem ta pranonit këtë qytetërim e dashur zonjë, stërgjyshërit tanë e zyrtarizuan në perandori dhe rrënja e zotëri Vuciq nuk gjendej në këto treva, por gjendej diku larg, larg Evropës.

E dashur zonjë, i nderuar zotëri Kosova e ka pranuar dialogun si një demonstrim bujarie për të krijuar marrëdhënie paqësore me një shtet që na terrorizoi për 100 vjet. Na vrau dhe në fund na dëboi. Dhe kjo prapë na jep për të kuptuar se rruga e Prishtinës nuk kalon as nga Beogradi e as nga Italia. Por fillon nga shqiptarët dhe ilirët e më tej.

E dashur zonjë, i nderuar zotëri, a nuk e kuptoni se jeni të papërfillshëm për vlerën e një populli siç është populli i Kosovës dhe tashmë ai ju ka sfiduar, jo vetëm në Kosovë por edhe në Beograd me humanizmin e vet. Me dinjitetin dhe vullnetin e pashembull duke pritur miratimin e të tjerëve për ta pasur lirinë e vet.

E dashur zonjë, i nderuar zotëri ju nuk mund ta detyroni Kosovën për asgjë, sepse thjeshtë jeni njerëz me premtime të pavërteta. Këtë tashmë e dinë jo vetëm njerëzit që merren me problemet e integrimeve evropiane por e di edhe nxënësi, edhe bujku, edhe i papuni.

Faleminderit e dashur zonjë, i nderuar zotëri. Një falënderim i madh shkon për ju të dy që më në fund e shpikët një kurth ku keni rënë vet ju. E ju thoni s’ka dialog me Prishtinën deri sa të hiqet taksa. Gjersa jeni të tillë, të pasinqertë dhe të padinjitetshëm, kurrë mos ardhtë ajo ditë. Prishtina do të lulëzoje nën këtë moto bashkë me popullin e Kosovës. Rruga për Prishtinën në Evropë kalon nga qytetërimi i saj. Nuk kalon as nga Italia e as nga Beogradi. Hvala presednice. Grazie Signora./Indeksonline/