11:46 / E Enjte, 20 Tetor 2022 / LB

Hykmete Bajrami: Duke caktuar çmime dhe margjinë të njëjtë ju do të bankrotoni mijëra dyqane të vogla

Sot, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet projektligji për Masat e përkohshme të produkteve themelore, Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës akuzoi Qeverinë Kurti se për shkak të mos-dijes do të falimentojnë dyqanet e vogla në Kosovë.

 “Ju me caktimin e çmimeve uniforme dhe caktimin e marzhave bëni edhe një dëm tjetër, ju do të arrini që të falimentoni mijëra dyqane të vogla në fshatra e nëpër lagje periferike të qyteteve.”

Caktimi i njëjtë i çmimeve do të shkatërrojë bizneset e vogla, sepse sipas Bajramit “Bizneset kanë kosto të ndryshme të operimit, se dyqanet e vogla i kanë kostot e operimit shumëfish me të larta”.

Ajo akuzoi Vetëvendosjen se nuk e kupton faktin që një market i madh në qytet mund të fitoj vetëm 3 cent në 1kg oriz por ai mund të shesë me dhjetëra ose edhe qindra kg brenda dite, ndërkohë dyqani në lagje ose në fshat ndoshta e ka kilogramin e orizit me shtrenjtë për 20 cent por i njëjti mund të shesë 2 ose 3 kg në dite.

Për të dëshmuar absurditetin e logjikës së qeverise, Deputetja Bajrami tregoi se në Memorandumin Shpjegues qeveria ka marrë për bazë opinionet e bizneseve apo agjencive turistike që të rregullohet tregu për çmimeve maksimale dhe marzhave për produktet themelore sikurse sheqeri. Ajo tha se për këto, dhe shumë arsye tjera nuk do të përkrahin këtë projektligj.