Hykmete Bajrami tregon çka u bisedua në takim me me zyrtarin e lartë të DASH-it

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, është takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan.
Bajrami tha se gjatë takimit me Hanrahanin ndau shetësimin për krizën e thellë institucionale, që sipas saj, po e paralizon vendin.
“Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë”.
“Theksova se LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare”, shkroi Bajrami.
Tutje, ajo tha se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe I shërbejnë interesit shtetëror.
“Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.
“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ajo.