75 Mall Live Search
21:20 / E Diele, 25 Maj 2025 / FR

“Hynesha e Prishtinës”, Xuxi në Albi Mall me hitin e ri

Këngëtari i njohur Naim Bunjaku, i njohur ndryshe si Xuxi, ka prezantuar këngën e tij më të re “Hyjnesha e Prishtinës” përmes një performace të veçantë në ambientet e Albi Mall.

I pyetur për vendin ku zgjodhi ta promovojë projektin e tij të fundit, Xuxi theksoi se Albi Mall është një përkrahës i madh i artit, kulturës dhe muzikës, ndaj ishte vendi ideal për të ndarë këtë moment me publikun.

Edhe pse i njohur për stilin rok-n-roll, këtë herë Xuxi ka befasuar publikun me një qasje ndryshe muzikore. “Hyjnesha e Prishtinës” është një këngë që, sipas tij, bart një simbolikë të thellë përtej kufijve të kryeqytetit.

“Kam pasur një këngë me grupin ‘Lindja’ që në vitin 1997 u kthye në një himn të tifozëve të Prishtinës. Por ‘Hyjnesha e Prishtinës’ shkon më larg – është një simbol i lashtësisë sonë dhe përfaqëson gjithë shqiptarët. Teksti përpiqet të lidhë Kosovën me mërgatën, duke treguar një dimension më të thellë kulturor e historik. Për këtë projekt, mbështetja e Albi Mall ka qenë e pazëvendësueshme,” u shpreh këngëtari.

Pas pjesëmarrjes së tij në një reality show të njohur, Xuxi pohon se rikthimi në skenë ishte i natyrshëm dhe i shumëpritur nga fansat. Ai zbuloi gjithashtu se është duke përgatitur projekte të reja muzikore, përfshirë bashkëpunime që do të publikohen në muajt e ardhshëm.

“Big Brother ishte një trampolinë që nuk e kisha menduar më parë. Më ka rikthyer fuqishëm dhe më ka dhënë një energji të re, sidomos në këtë moshë. Reagimi i njerëzve më tregon se ende ka interes për atë që bëj,” tha ai.

Përveç këngës së re, Xuxi performoi edhe disa nga hitet e tij të vjetra, duke rikujtuar rrugëtimin e tij të gjatë në muzikë, i cili nisi që në fëmijëri dhe mori formë në vitet ’80./IndeksOnline/