Hyrja e Ferizajt me katër korsi, Abrashi nënshkruan kontratën për ndërtimin e projektit

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në prani të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, e ka nënshkruar projektin për rehabilitimin e rrugës “Hyrja në qytetin e Ferizajt” që është kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Abrashi tha se ky projekt do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të Ferizajt duke e bërë edhe më të lehtë qasjen për qytetarët.
“Falënderoj të gjithë ekipin e BERZH-it për bashkëpunimin e treguar. Ky është një projekt i ri, që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Ferizajt dhe rruga do t’i ketë katër “korsi” me të gjitha standardet përcjelljes. Ne sot nënshkruam kontratën dhe në kohë rekorde do të përfundohet punimet, duke e kthyer Ferizajn në qytet model në infrastrukturë”.
Drejtori i BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor, tha se është shumë i lumtur të shohë që po nënshkruhet kjo kontratë. Ai shtoi se projekti ka gjatësi 5.6 kilometra që do ta ketë të gjithë infrastrukturën përcjellëse.
Realizimin e projektit e ka fituar kompania italiane “INC”, që në emër të saj e nënshkroi kontratën Claudio Dogliani.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Projekti parashihet të përfundojë në janar-shkurt të vitit 2023, që i bie 24 muaj nga ditae nisjes së punimeve.
Gjatësia e projektit është 5.6 kilometra me katër “korsi” dhe do ta ketë ndriçimin, trotuaret dhe të gjitha standardet.
