Hyrja e FSK-së gabimisht në veri, deklarohet KFOR

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas rastit të sotëm, ku njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u futën gabimisht në veri të vendit, për shkak të ngatërrimit të drejtimit të lëvizjes.
Në një përgjigje për Klankosova, KFOR njoftoi se komandanti i tyre, Ozkan Ulutash, zhvilloi një bisedë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, i cili konfirmoi se devijimi ishte i përkohshëm dhe ndodhi si pasojë e një gabimi.
“Kjo njësia e FSK-së kishte dalë gabimisht për disa minuta nga itinerari i saj dhe është kthyer menjëherë në rrugën fillestare, në jug të Kosovës,” thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Misioni i NATO-s mirëpret respektimin e marrëveshjes nga FSK-ja, sipas së cilës personeli i forcës nuk duhet të dërgohet në veri pa njoftimin dhe miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it. KFOR konfirmoi se misioni i tij mbetet i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në aspektin e sigurisë.
Nga ana tjetër, FSK-ja sqaroi se gjatë lëvizjes së konvojit nga Istogu për në kazermën në Mitrovicë, pjesëtarët e njësisë ngatërruan drejtimin.
“FSK njofton publikun që sot, më 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit nga Istogu për në kazermën e Mitrovicës, pjesëtarët me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes,” thuhet në komunikatë.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se njësia kishte hyrë gabimisht, duke menduar se po hynte në Mitrovicën e Jugut:
“Na thanë se e kishin gabuar vendndodhjen dhe mendonin se ishte Mitrovica Jugore,” deklaroi Elshani.