18:56 / E Diele, 27 Dhjetor 2020 / Blerim

Hyrja e vaksinave në veri të vendit, Haradinaj-Stublla: Shkelje flagrante e marrëveshjes në procesin e Dialogut Teknik

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në faqen zyrtare FB ka thënë se ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të paverifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik.

“Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Washington, ashtu edhe në Bruksel.

Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë”, shkruan ajo.

Më tej ajo shton se pret nga Brukseli dhe Washingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.