Hysaj dhe Gjasula në konferencë shtypi: Japim maksimumin, e nisim me fitore ndaj Andorrës

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare të Futbollit, Elseid Hysaj, dhe Klaus Gjasula kanë dalë sot në një konferencë zyrtare shtypi, përpara ndeshjes që ekipi ynë do të zhvillojë ndaj Andorras këtë të enjte në transfertë.
Mbrojtësi shkodran, Elseid Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve në këtë konferencë, u shpreh se duhet që ta nisin këtë fushatë eliminatoresh me këmbën e mbarë. Gjithashtu, ai foli edhe për lojtarin më të ri kuqezi që i është bashkuar Kombëtares…, Nedim Bajrami, për ndeshjet që do të zhvillojnë në pak ditë si edhe për skemën e përdorur nga trajneri e ndeshjen ndaj ekipit të Andorras.
“Me rëndësi është që ta fillojmë me këmbën e mbarë sepse siç e dimë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme sesa ndeshjet më vonë. Kështu që ta nisim mbarë, ashtu siç edhe e lamë në Nations League, që të jemi kompakt siç e treguam edhe në ndeshjet e fundit dhe të vazhdojmë përpara. Po besoj se po, sepse kemi më shumë lojtarë që po luajnë ndeshje dhe kanë më shumë minutazh dhe janë në formë më të mirë sesa përpara. Jemi një grup fantastik, kemi edhe ardhje të reja si Bajrami, që mund të na japin një dorë më shumë për të ecur përpara dhe besoj që do fillojmë me këmbën e mbarë. Nuk ka ndryshime. Siç e keni parë, jemi po i njëjti grup pak a shumë. Kemi veç ardhjen e disa të rinjve që mund të na duhen në grup, por jemi po i njëjti grup. Kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe do mundohemi të ecim përpara dhe duhet ta kemi pak atë frymën e ndeshjeve të kaluara sepse treguam që kemi filluar të luajmë një futboll të mirë, me trajnerin që po na tregon se si të vendosemi në fushë dhe ne ecim bashkë. Kështu që besoj se duhet të kemi pak nga fryma e kaluar dhe pak nga ndeshjet e kaluara dhe pak nga fryma e re, siç thashë Bajrami dhe të tjerët, që mund t’i japin një mundësi më shumë skuadrës për të ecur përpara”, ka thënë Hysaj.
Ndërsa mesfushori i talentuar shqiptar që luan në Gjermani, Klaus Gjasula, u shpreh se fokusi i skuadrës është në ndeshjen e parë ndaj Andorras, si dhe theksoi se fryma në grup është mjaft e mirë. Pavarësisht se nuk është në gjendjen e tij më optimale, Gjasula tha se do të japë maksimumin për ekipin.
“Besoj që ne me paraqitjet e fundit kemi treguar që i kemi të gjitha mundesitë për të fituar këtë ndeshje dhe të hymë më këmbë të mbarë në kualifikim. Do kishte qenë ndryshe të luanim ndeshjen e parë me Anglinë pasi është pak më e vështirë, por si tha dhe Elsi nëse jemi të përqëndruar dhe gati nga ana mendore, besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje dhe të hymë në kualifikim”, vazhdoi Gjasula
/IndeksOnline/