Hyseni, dirigjenti – vashat në ballë të demonstratës


Hysen Shurdhani i dënuar në dy procese, si organizator i demonstratave të 5 majit 1981 në Kaçanik – dhe si ushtar i APJ-së, më 1985. Në Stara Gradishkë qëndroi 4 vjet bashkë me Adem Demaçin…

——————-

Kaçanikasit kujtojnë sot demonstratën e 5 majit 1981.
Para 40 vitesh në Kaçanik u brohorit për Kosovën Republikë. U brohorit parulla Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë !
Dirigjenti i kësaj demonstrate ishte studenti i gazetarisë, Hysen Shurdhani (1956) dhe grupi i tij, lojëtarët e basketbollit.

Si nisi dasma e madhe ?
Ajo nisi në oborrin e Gjimnazit “Skenderbeu” në Kaçanik, dhjetë minuta para orës 14:00. Atë ditë përshpëritej “Sot do të krisë”. Te oborri i shkollës tubohen nxënësit
Avdyl Gula, Avdi Çaka, Murat Rudi, Kastriot Kyçyku, Xhevdet Hebib Shehu, Tyrkjane Berisha, Nurhane Trena, Fatime Sopa etj.
Pasi u kthyem nga Prishtina, me profesorin tim të gjimnazit Rexhep Berishën shohim grupin e nxënësve. Në fillim kujtuam se po zihen mes vete, pastaj na ra zhetoni se fjala është për demonstratë…
Avdyli i thotë Avdisë “Haje, nisja…”. Ky i dyti ngritet në këmbë, ia krisë këngës Ushton Gryka e Kaçanikut…
Turma rritej…
Bëhet terr…
Unë e profesori marshuam, jo në rresht, por skajeve…
Në ballë të demonstratës – vashat.
Vashat hedhin vallen…
Simbolika e pazakontë në demonstratat e Kosovës.
Demonstruesit marshuan drejt qytetit, te Ura e Konakut, kah bishti i çarshisë – aty afër ku bashkohen dy lumenjtë Lepenci e Neredimja. Kthimi mbrapsht, kah xhamia e Koxha Sinan Pashës – drejt rrugës që shpie te SHF “Emin Duraku”.
Demonstruesit shpërndahen te Rrasa, afër shtëpisë së Hysen Shurdhanit.
Grupit të 7 të akuzuarve iu bë gjyqi ekspres në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 7 gusht 1981. Hyseni dënohet me 7 vjet burg. Të tjerët u dënuan prej 7 deri në dy vjet burg.
Atë ditë kur u dënua grupi i Kaçanikut, u dënua edhe grupi i Drenicës, më tha Hyseni gjatë një bisede me të në fcb.
Dy të dënuarit Xhemajl Fiqi e Abdullah Çallaku nuk janë në mesin e të gjallëve, i pari i dënuar me 7 vjet, tjetri 5 vjet burg.
E kam një foto me shokun tim të shpirtit Dullën (Abdullah Çallakun). Kjo fotografi është bërë me 5 prill 1981, shtoi Hyseni.
Një ditë prilli të vitit 1981 ata të Komitetit të LK në sallën e Kuvendit të Komunës, te posta e vjetër, kishin ftuar studentët e kësaj ane për “t’i dënuar demonstratat”. Ajo mbledhje pat dështuar meqë një minutë heshtje për viktimat e rëna kërkoi studenti i fakuktetit ekonomik Reshat Sh. Shehu.
(Reshati, si pjesëtar i UÇK-së bie te Përroi i Rakocit në Kaçanik, më 9 prill 1999).
Mikun e kolegun tim Daut Shehun e përjashtojnë nga LK si oportunist…
Komiteti merr masa edhe ndaj vëllait të Dautit, Osman Shehut. Ia ndalojnë aktivitetin e AVI Fontana, të cilit i printe. Edhe kënga “Shkambi i kujtimit” na paska përhapur nacionalizmin. Një ditë para demonstratave në Kaçanik, më 4 maj 1981, në ditën e përvjetorit të vdekjes së Titos, Osmani së bashku me anëtarët e tjerë të këtij ansambli ka kënduar dhe u ka rënë instrumenteve në një lokal mu në qendër të qytetit. Atëbotë në gazetën “Rilindja” kam reaguar me shkrimin “Pse u ndalua AVI Fontana”.
Anëtarët e familjes Krasniqi nga Kaçaniku, që banojnë në lagjen Tusha nuk i lanë rehat. Shtëpia e tyre konsiderohej reaksionare. Tre vëllezërit, pjesëmarrës të demonstratave, Fevzi, Kadri e Halim Krasniqi u ndëshkuan. Fevziu, si inxhinier i fabrikës së gëlqeres, Kadriu – arsintar i lëndëve ekonomike në shkollën e mesme në Kaçanik, ndërkaq Halimi pos nga shkolla u përjashtue edhe nga KF Lepenci, lojëtar i së cilës ishte.
Për këtë demonstratë publikoj fejtonin në dy vazhdime, në gazetën “Bujku”, më 10 e 13 maj 1996.
Hysenin nuk e lanë të qetë. Ditën e fundit të shërbimit ushtarak e burgosin në kazermën e Ilirska Bistricës, më 24 prill 1985 Gjykata Ushtarake në Zagreb e dënoi me 12 vjet burg, ndërsa Gjykata Supreme Ushtarake në Beograd tregohet “zemërgjerë”, ia zbriti dy vjet. Ky i dënuar politik gjithsej i mbajti 8 vjet burg për t’u liruar më 20 qershor 1990.
Miku e fqinji im Hyseni rrëfen se në burgun e Stara Gradishkës ka qëndruar 4 vjet me Adem Demaçin… Unë në dhomën numër 27, baci (Ademi) 28, shprehet ai.
Mëtej foli për transferimin në burgun e Lepogllavës. Këtu ka qëndruar bashkë me Fehmi Lladrovcin, Behxhet Shalën, Ramadan Shalën nga Peja…
Mbrojtësi i Hysen Shurdhanit, avokati kaçanikas Xhemajl Krasniqi, i cili e mbrojti klientin e vet në dy gjyqe, atë të Prishtinës dhe në Gjykatën Supreme Ushtarake në Beograd, tregoi për disa marrëzira që u bënë në këto gjykime. Personazhi i fejtonit tim, Xhemajl Krasniqi në maj të 1996-ës më tha:
Ushtarakët Hysenin e akuzonin se si ky me disa ushtarë tjerë shqiptarë paska dashur të rrëmbejë tankat, topat dhe municionin, të shkoj me to kah Rjeka, të kalojë bregdetin italian, pastaj në Shqipëri e prej këtu me këtë “arsenal luftarak” të vije në Kosovë. Gjykatësve ushtarakë, avokati Krasniqi, për këtë absurd u ka thënë: “E tërë kjo i ngjet një filmi të vizatuar”.
Ndodhi amnestia për të burgosurin politik, kroatin Franjo Tugjmanin. Ardhja në pushtet e HDZ bëri që të lirohen me kusht edhe të burgosurit tjerë politik shqiptarë, tha Hysen Shurdhani.
Hyseni ishte kryetari i parë i KMDLNJ-së në Kaçanik. Meqë e kërkonin detyrohet ta braktis vendin, të shkoj në Zvicër më 1993.
Rron në Zvicër me tre fëmijët e tij Galdimin, Egzonën e Gentin.