Hyseni, për shtatorën e Rugovës në Podujevë: Përpjekje për përfitime politike

Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, me rastin e përurimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë, ka thënë se vendosja në këtë moment e shtatores është një përpjekje për të përfituar politikisht.
“Vendosja e saj po bëhet në prag të një fushate zgjedhore, nga një mashtrues tipik, i cili herë thirret në Ibrahim Rugovën e në të djathtën, herën në Albin Kurtin e në të majtën, me qëllim të mbijetesës së tij politike e realizimit të interesave puro personale”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Ai tutje ka thënë se prania e tyre në këtë ceremoni është dëshmi e besnikërisë ndaj vet Presidentit Rugova dhe LDK-së.
Sipas tij as të tjerët, e as Bulliqi që deri dje ishin në struktura të larta të LDK-së në Podujevë, nuk qenë në gjendje as ta propozojnë e as ta bëjnë një shtatore të tillë, por e bënë e sot për të përfituar edhe një herë në emër të Presidentit Rugova dhe të LDK-së.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur miq,
Të dashur njerëz të sinqertë e besnik të LDK-së,
Sot bashkërisht me familjen e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova si dhe me anëtarë e simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës morëm pjesë në përurimin e shtatores së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Përkundër faktit se vendosja në këtë moment e kësaj shtatoreje është një përpjekje për të përfituar politikisht, prania jonë aty ishte në shenjë nderimi e respektimi të arkitektit të Republikës sonë, Dr. Ibrahim Rugova.
Prania jonë në këtë ceremoni është po ashtu dëshmi e besnikërisë ndaj vet Presidentit Rugova dhe LDK-së.
As të tjerët, e as Bulliqi që deri dje ishte në struktura të larta të LDK-së në Podujevë, nuk qenë në gjendje as ta propozojnë e as ta bëjnë një shtatore të tillë, por e bëri e sot për të përfituar edhe një herë në emër të Presidentit Rugova dhe të LDK-së.
Vendosja e saj po bëhet në prag të një fushate zgjedhore, nga një mashtrues tipik, i cili herë thirret në Ibrahim Rugovën e në të djathtën, herën në Albin Kurtin e në të majtën, me qëllim të mbijetesës së tij politike e realizimit të interesave puro personale.
E djathta dhe e majta janë thellësisht e thelbësisht të ndryshme, ashtu siç janë thelbësisht të ndryshëm Ibrahim Rugova e Albin Kurti.
Prandaj, secili që është me të djathtën, me Rugovizmin nuk përfundon në prehrin e Albin Kurtit, siç ka përfunduar një mashtrues i llojit të Shpejtim Bulliqit, i cili s’ka lënë rast pa përfituar nga LDK-ja sa ishte në pushtet, e për të ruajtur e zhvilluar edhe më ambiciet e tij politike e biznesore tradhtoi LDK-në duke përfituar nga LVV.
Ibrahim Rugovës nuk i bën nder një tradhtar e mashtrues si Shpejtim Bulliqi.
Sepse, ky nuk është nder. Ky është kalkulim për përfitim në emrin e Ibrahim Rugovës duke i shërbyer Albin Kurtit, por jam i bindur plotësisht se qytetarët llapjan e kanë kuptuar fytyrën e vërtetë të tij.