Hyseni u bën thirrje partive politike dhe asamblistëve që të votojnë buxhetin e Gjilanit

Për ditën e nesërme me ftesë të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, është thirrur seancë urgjente për miratimin e buxhetit për vitin 2025.
Sipas njoftimit seanca do të mbahet në orën 14:00. Më tutje është bërë e ditur se Hyseni, ka njoftuar qytetarë se janë në javën e fundit kur Kuvendi komunal mund dhe duhet ta votojë buxhetin e qytetit tonë për vitin 2025.
Sipas tij në takimin e fundit me partitë politike opozitare në Gjilan i është kërkuar që i gjithë procesi i aprovimit të buxhetit të kthehet nga e para.
“Edhe pse ne kemi mbajtur dëgjimet buxhetore dhe kemi ndjekur çdo hapë ligjor për aprovimin e buxhetit, opozita nuk mori pjesë në asnjë dëgjim buxhetor dhe nuk dërgoi asnjë propozim të vetëm”, tha kryetari Alban Hyseni.
I pari i Komunës së Gjilanit, thekson se më pas e kanë dërguar buxhetin drejt Kuvendit Komunal, por deri tani, pra në javën e fundit të afatit ligjor nuk është aprovuar buxheti i komunës tonë.
Më tej ai shtoi se tani kur ditët janë të numëruara është tepër vonë dhe jashtë çdo afati ligjor për dëgjime buxhetore apo procedura tjera.
“Prandaj më 25 shkurt, vetëm tri ditë para përfundimit të aftit ligjor do të thërrasim një seancë tjetër urgjente për aprovimin e buxhetit. U bëj thirrje partive politike dhe të gjithë asamblistëve të Kuvendit komunal që të votojnë e aprovojnë buxhetin e qytetarëve të Gjilanit”, tha kryetari i Gjilanit Alban Hyseni.