75 Mall Live Search
10:08 / E Enjte, 19 Dhjetor 2024 / k.v

I akuzuar për trafik droge, arrestohet në Spanjë me qëllim ekstradimi një 36-vjeçar

Një operacion i suksesshëm i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale ka çuar në arrestimin e Spartak Suca, një 36-vjeçar i kërkuar nga autoritetet spanjolle për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Operacioni, i koduar “Operacionalja 21”, u realizua në bashkëpunim me homologët spanjollë. Suca u lokalizua dhe u arrestua në qytetin e Shkodrës pas një koordinimi të ngushtë ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Tarragonas në Spanjë ka lëshuar ndaj tij një masë sigurie “Arrest në burg” për akuzat e ngritura. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të finalizuar procedurat e ekstradimit të tij drejt Spanjës.

Njoftimi:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 21”.

I akuzuar në Spanjë, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin, 36-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me homologët e Policisë spanjolle, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 21”, u lokalizua në Shkodër, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. S., 36 vjeç, i lindur në Shkodër.

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Tarragonas i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e shtetasit S. S..