I akuzuari për vrasjen e trefishtë në Kaçanik thotë se nuk e di kush ‘ia drejtoi gishtin’ për këtë ngjarje

Agron Dalloshi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në rastin ku ai dhe Afet Dalloshi po akuzohen se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, ka thënë se nuk e di kush ‘ia drejtoi gishtin’ për këtë vrasjen e trefishtë në Kaçanik.
“Po, kemi diskutuar punën e arrestimit tonë, timin, Afetit dhe Nysretit, personalisht si Agron ju kam thënë edhe Nysretit se “pse më arrestuan mua, kush ke ai që ma bani këtë, kush e drejtoi gishtin te unë”, është deklaruar i akuzuari Agron Dalloshi.
Këtë deklarim, i njëjti e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, duke shtuar se Nysret Cena dhe Afet Dalloshi ishin përgjigjur me “nuk e di”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Agron Dalloshi tha se hetimet ndaj tij kishin filluar në momentin kur Afet Dalloshi është kthyer nga qendra e paraburgimit në Dubravë, kur kishte qenë në vizitë tek Besnik Hasani.
E sipas tij, më pas kishin filluar kërcënimet gjoja në emrin të tij tek dëshmitari Sadush Dullovi, ku tha se i njëjti e kishte pyetur përmes njerëzve “pse m’ke dërgu letra”, ndërsa ai i kishte thënë se “unë nuk të kam dërgu dhe nuk të dërgoj kurrë edhe s’kam pas pse”.
Në vazhdim, i akuzuari Agron Dalloshi tha se Afet Dalloshi i kishte treguar se i kanë premtuar të jetojë kudo, nëse i drejton gishtin tek Agroni.
“Mua Afeti më ka thënë se Florim Hasani e ka dërguar tek Tahir Rrecaj, i cili ia ka vendosur hartën në tavolinë dhe i ka thënë ‘zgjidhe një vend në botë ku ke dëshirë të jetosh me familje dhe drejtoja gishtin Agronit’, por Afeti nuk ka pranuar, e pastaj i kanë thënë drejtoje gishtin tek Arsim Kolshi, për vrasjen e trefishtë”, deklaroi Agron Dalloshi.
Ai gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka sqaruar aq sa i kujtohet se ku dhe me kë kishte qenë në natën kritike.
I njëjti tha se për vrasjen e tani të ndjerit N.B. ishte informuar përmes mjeteve të informimit një ditë pas ngjarjes dhe se me të kishte pasur raporte të mira.
Dalloshi tha Besnik Hasanin e njeh që nga 2005, kurse Shpend Qerimin e ka njohur pas arrestimit për vrasjen e trefishtë.
Tutje, ai sqaroi se sa i kujtohet në natën kritike kishte qenë në restorantin “Evropa 92” së bashku me kushërinjtë e tij, por nuk është i sigurt nëse të gjithë kishin qenë aty po atë natë.
I akuzuari Agron Dalloshi sqaroi se në atë restorant kishte shkuar me Afet Dalloshin me veturën “Golf 3”, pasi që ia kishte dërguar veturën tjetër të Afetit, një Audi e vjetër tek shtëpia e Esat Ymerit, ku edhe kishin qenë prindërit e Afetit për iftar.
Ai tha se në atë restorant kishin qëndruar 30 minuta deri në 1 orë dhe sa i kujtohet, Besnik Hasanin e kishte parë duke hyrë brenda në restorant dhe se vetëm ishin përshëndetur me dorë nga larg.
“Me sa më kujtohet, Besniku ka qenë i shoqëruar me dy persona tjerë, të cilët nuk i kam njohur”, ka shtuar i akuzuari Agron.
Ai tha se edhe Nysret Cenën e kishte parë duke hyrë në atë restorant me një vajzë, por që edhe me të vetëm ishin përshëndetur.
I njëjti sqaroi se atë natë ishte kthyer në shtëpi me kushëririn e tij Enverin dhe se Afet Dalloshi i kishte thënë se do të shkojë në Kaçanik.
Po ashtu, tha se në restorantin “Evropa 92”, atë natë kishte pasur edhe shumë persona të tjerë që i njihte nga rrethi i tij, por që të ndjerin N.B. nuk e kishte parë aty.
“Sikur ta kisha parë do e kisha përshëndetur sepse kam pasur muhabet me të, se s’kam pasur kurrë të keqe me të më parë, këtë e dinë edhe vëllezërit e tij”, tha Agron Dalloshi.
I pyetur nëse mundet t’i përshkruajë personat që kanë qenë së bashku me Besnik Hasanin atë natë, i akuzuari Dalloshi u përgjigj “nuk mund t’i përshkruaj dhe nuk e di se kush kanë qenë ata, pasi që nuk i kam njohur”.
Ai tha se lidhur me këtë vrasje, të nesërmen ishte arrestuar edhe Afet Dalloshi, por që më pas ishte liruar, ashtu sikurse kishte dëgjuar edhe për arrestimin e mëvonshëm të Nysret Cenës, Besnik Hasanit dhe Shpend Qerimit.
Ai mohoi t’i ketë vizituar këta të fundit në qendrën e paraburgimit duke ritheksuar se “prej asaj vizite që ka bërë Afet Dalloshi në Burgun e Dubravës, unë jam arrestuar”.
Agron Dalloshi tha se përmes televizionit kishte dëgjuar se për vrasjen e trefishtë ishin dënuar Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.
Kurse lidhur me raportin me Nysret Cenën, ai tha se kanë raporte të mira, por që rrallë herë dalin, madje kanë 1 vit që nuk janë takuar.
Në anën tjetër, i pyetur për punën e tij ai tha se tani punon si vozitës kamioni, por që në atë kohë kishte punuar në fabrikën e ‘”Silcaporit”.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e të dëmtuarit Bujar Baftiu, i akuzuari Agron Dalloshi tha se natën kritike është kthyer në shtëpi rreth orës 20:00/21:00, pas iftarit dhe se atë natë nuk kishte qenë fare në punë.
Ai sqaroi se edhe pas ngjarjes ka punuar dhe folur me familjarët e të ndjerit në të njëjtën fabrikë, duke shtuar se njëherë e kishte marrë edhe vetë Bujarin me veturë nga Kaçaniku për në varrezat e dëshmorëve.
“Bile një herë Bujari ka hyrë me mu në veturë, prej Kaçanikut te varrezat e dëshmorëve, e gjatë atij udhëtimi më ka thënë ‘çka po flitet bir për ty’, unë i kam thanë ‘nuk e di, ndoshta flitet”, shtoi i akuzuari.
Po ashtu, sqaroi se në varrim nuk kishte shkuar për shkak të arrestimit të kushëriri të tij, Afet Dalloshi të nesërmen e ngjarjes.
I dëmtuari Bujar Baftiu mohoi të ketë hipur me veturë siç pretendoi i akuzuari, duke thënë se “kjo nuk ka ndodhur”.
“Deri në momentin që jam arrestuar unë me krejt kam fol, momentin që jam arrestuar më nuk kemi folur”, u shpreh i akuzuari.
Ai u përgjigj edhe në pyetjet e të dëmtuarit Arben Baftiu, duke thënë se në fabrikën e lartcekur kishte punuar edhe si sigurim i afërt i vëllait të pronarit, përkatësisht i Sakip Berishës.
Por, Agron Dalloshi mohoi të ketë qenë pjesë e ndonjë biznesi të përbashkët me Afet Dalloshin dhe Nysret Cenën, e po ashtu sqaroi se shtëpinë e tij e kishte ndërtuar ngadalë që nga viti 2005 deri më 2012, kur kishte përfunduar ndërtimin.
Ai po ashtu tha se në vitin 2012 me familjarët e Besnik Hasanit dhe Shpend Qerimit, i kishte ndodhur të takohen rastësisht, por jo në ndonjë takim të planifikuar.
I pyetur nga Arben Baftiu, pse atëherë kanë qëndruar bashkë dhe më jo, i akuzuari ka sqaruar se ka pasur urdhër nga gjykata që mos t’iu afrohet familjarëve të Besnikut, të dëmtuarve, dëshmitarëve dhe kushëririt të tij, Mustafës.
Lidhur me përfshirjen e tij në këtë ngjarje, Dalloshi tha se e kishte pyetur edhe prokurorin Reshat Millaku dhe kishte kërkuar nga ai të di “pse ma kanë bë këta”, por që sipas tij, ai i kishte thënë se “ti s’ke drejtë me folë se je i akuzuar për këtë punë”.
Gjatë përgjigjeve të të akuzuarit, i dëmtuari Arben Baftiu u shpreh se “oh të akuzuarin jam t’u e ditë çka duhet, po nuk po ma qet”, e që për këtë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, ia tërhoqi vërejtjen.
Ndërkaq, i pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Ahmet Ahmeti, i akuzuari Dalloshi sqaroi raportet me personat e përmendur në aktakuzë dhe tha se për ndalimin e tij 48 orësh nuk ka njohuri nëse ka pasur vendim me shkrim apo jo.
Ai tha se me sa i kujtohet, në seancën dëgjimore edhe prokurori edhe gjykatësi kanë qenë të EULEX-it.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dërmaku, ai tha se asnjëherë nuk kishte dëgjuar për motivin e kësaj vrasje.
“Janë disa spekulime, por nuk dua të lëshohem në to”, shtoi ai.
Agron Dalloshi tha se nuk kishte pasur njohuri e as nuk i ishte thënë ndonjëherë se i ndjeri N.B. kishte pasur probleme me dikë.
Kurse, i pyetur se kush dhe pse e ka kërcënuar dëshmitarin e përmendur si më lartë, Dalloshi është përgjigjur se këtë nuk e di, por që ka dëgjuar se kërcënimet kanë shkuar nga Fikri Hasani ose Ali Aliu, por që ai personalisht këtë nuk e di.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar për 29 shtator 2022, ku pritet të vazhdohet dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit Agron Dalloshi.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtorë, duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdonjërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.
Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.
Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një vajzë, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.
Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.
Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i palënduar.
Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.
Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.
Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer secili veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.