I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it që u plagos gjatë protestave në Zveçan, njofton media hungareze

Mediat hungareze kanë bërë të ditur se ushtarit të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte pësuar lëndime gjatë protestave në veri , ku në komunën e Zveçanit ishte tensionuar gjendja.
Ushtarët e plagosur, u dërguan në Hungari për tretman me aeroplan, ku sipas Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare Kristóf Szalay-Bobrovniczky gjithsej ishin 27 ushtarë të plagosur.
Ministria ka njoftuar se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por dy prej ushtarëve janë ende duke u trajtuar, pasi gjendja e tyre ende nuk është e mirë.
“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.