12:02 / E Enjte, 26 Maj 2022 / k.v

I arrestuar për rastin Brezovica edhe ish-sekretari i MI-së, Xhelil Bekteshi

Në mesin e katër personave të arrestuar sot për rastin Brezovica është edhe ish sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë, Xhelil Bekteshi, transmeton IndeksOnline.

Aksioni i policisë kishte nisur sot herët në mëngjes ku në objektet e kontrolluara pronë e të arrestuarve, janë gjetur dhe konfiskuara edhe armë zjarri.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR), në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë lokacione të ndryshme dhe me vendim të  Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, katër persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinë. 

 Personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 të KRPK-së dhe “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celuar, laptop dhe dokumente të ndryshme./IndeksOnline/