75 Mall Live Search
22:31 / E Shtunë, 26 Janar 2019 / indeksADMonline

I arrestuari nga Policia është personi që ka djegur veturën me të cilën u plaçkit banka TEB

Policia e Kosovës dje ka arrestuar të dyshuari A.R për të cilin ekziston dyshimi për përfshirje në rastin e grabitjes të bankës TEB në lagjen ‘Dardania’.

Të dyshuarit me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, transmeton Indeksonline.

Burime të Indeksonline mësojnë se i dyshuari A.R ka mohuar se ka kryer veprën penale ‘grabitje të armatosur’.

Sipas këtij burimi, i dyshuari ka pohuar se nga të dyshuarit që janë në kërkim, ka pranuar si dëmshpërblim 500 euro për ta djegur veturën e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë rastit të grabitjes së bankës.

I dyshuari ka thënë se nuk ka marrë pjesë në grabitje, por vetëm se ka djegur veturën për të shlyer zgjurmët,  për të cilën ka pranuar dëmshpërblim.

Vetura është gjetur e djegur afër fshatit Bardhosh në kryeqytet.

Sipas provave dhe incizimeve të kamerave, i dyshuari nuk duket brenda ambientit ku kryhet grabitja. Mirëpo, pas konsultimeve, të njëjtit i është shqiptuar masa e paraburgimit për bashkëkryerje të veprës penale.

Ndërsa, personat që janë ende të arratisur janë K.SH, L.L dhe E.Sh.

Indeksonline kishte siguruar pamje ekskluzive të kësaj grabitje e cila nuk ishte e vetmja që ka ndodhur në vitin 2018. /Indeksonline/