I ati me COVID-19, princi William i gatshëm të rikthehet pilot për helikopterët-ambulancë

Koronavirusi në Britaninë e Madhe po përhapet me shpejtësi, duke goditur edhe elitat qeverisëse në Londër, nga kryeministri Boris Johnsson tek pjesë e kabinetit. Madje edhe princi Charles u diagnostikua me COVID-19, duke shtrënguar mbretëreshën Elizabeth të tërhiqej në izolim.
Por sipas mediave angleze, në familjen mbretërore ka edhe persona që duan të japin një dorë konkrete për vendin. Princi William, ka shprehur qartë dëshirën e tij për t’u rikthyer karrierës së tij si pilot, e cila përfundoi në vitin 2015.

37-vjeçari që në të ardhmen do të trashëgojë fronin dhe titullin e mbretit, ka nisur karrierën e tij si pilot helikopterësh ushtarakë në 2008, dhe e ka përfunduar në 2013. Pas eksperiencës ushtarake, ai ka fluturuar 2 vite si pilot civil i helikopterëve-ambulancë. Por dëshira e tij për të ndihmuar me shumë gjasa do përballet me murin e protokollit mbretëror.

Me gjyshen 95-vjeçare Elisabeth në pamundësi të lëvizë nga rreziku i koronavirusit për moshat e thyera, të atin e sëmurë pikërisht me COVID-19, xhaxhain Andrew të izoluar për shkak të skandaleve seksuale dhe vëllain Harry tashmë në “ekzil” në Kanada, William mbetet anëtari i vetëm i rëndësishëm i familjes mbretërore që mundë të respektojë detyrimet institucionale.
