“I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit”, flet Nagavci

Ministra e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas raportit të Auditorit, i cili gjeti se procesi i vlerësimit të teksteve të reja shkollore, të hartuara dhe të botuara gjatë vitit 2018/2019, është zhvilluar me shumë parregullsi ligjore, administrative dhe profesionale.
Nagavci tha se si përgjigje të shpejtë, ka kërkuar auditim të brendshëm mbi kriteret e përzgjedhjes së recensentëve, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, procedurat e vlerësimit të dorëshkrimeve dhe materialeve mësimore, deri në procesin final të botimit të këtyre teksteve.
“Beteja me keqpërdorues në proces të përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore nuk do të ndalet. Hap pas hapi deri në eliminimin e plotë të parregullsive dhe shpërdorimeve drejt qëllimit të përbashkët për tekste shkollore më cilësore”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.
Nagavci i quajti gjetjet e Auditorit shqetësuese, dhe tregoi se këto gjetje i ka dorëzuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës.
“Shndërrimi i botimit të teksteve shkollore në mundësi përfitimi ilegal për grupe të ndryshme të interesit ka ndikuar negativisht në tërësi procesin dhe cilësinë e teksteve shkollore. I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit. Keqpërdorimet nuk mund të ngelin të pandëshkuara. Keqpërdorimet në arsim kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve dhe në veçanti e organeve të drejtësisë. E keqja duhet të ndalet!”, përfundoi ministrja.
Në një nga gjetjet e Auditorit, thuhet se qëndrimi ditor për secilin anëtarë në hotel në Shqipëri ka kushtuar 60 deri në 91 euro për një natë qëndrimi, ani se sipas burimeve të NjAB, qëndrimi ditor në atë periudhë për një person ishte përgjysmë apo është trefish më pak nga çmimi i paguar nga MAShT.
Më poshtë mund t’i lexoni gjetjet e Auditorit, të publikuara nga ministrja Nagavci.

