75 Mall Live Search
12:50 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

I bën atentat në mes të plazhit në Itali, shqiptari gjen vdekjen në spital

Nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra në atentatin e kësaj të diele në mes të plazhit të Torvaianica në Itali, 38-vjeçari shqiptar, Selavdi Shehaj.

Shqiptari gjeti vdekjen mbrëmjen e së martës në spitalin “San Camillo”, ku ishte shtruar pas plagosjes, ku pavarësisht ndihmës së mjekëve gjeti vdekjen.

Shehaj mbeti i plagosur rëndë në orën 10.30 të së dielës, kur dy persona me motor u afruan pranë tij në kompleksin “Bora Bora” dhe pasi i thirrën në emër, njëri prej tyre zbriti nga mjeti dhe qëlloi me pistoletë drejt tij.

Dy plumba e kapën 38-vjeçarin në shtyllën kurrizore, të cilat rezultuan fatale për të.

Autoritetet italiane dyshojnë se krimi mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, pasi viktima rezultonte me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Selavdi Shehaj kishte dalë nga burgu në arrest shtëpie para dy muajsh, pasi për dy vjet e gjysmë kishte qenë në burg, i kapur me 5 kilogramë drogë.

38-vjeçari ishte i martuar dhe baba i një vajze.