13:33 / E Enjte, 27 Maj 2021 / OSH

I burgosuri-shtetas i Shqipërisë hyn në grevë urie, reagon KMLDNJ

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ) ka reaguar ndaj të burgosurit (shtetas i Shqipërisë), i cili ka hyrë në grevë urie.

Përmes një njoftimi për media thuhet se KMDLNj nuk përkrahë grevat e urisë në rast se ato përdoren si shantazh ndaj SHKK-së për arritjen e qëllimeve personale e që nuk janë nën përgjegjësi, as të SHKK–së e as të KMDLNj –së

Pasi, sipas KMDLNj–së, arsyeja e vërtetë e grevës së urisë në të cilën ka hyrë i paraburgosuri D. Gj. është refuzimi i transferimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për faktin se do ta kishte më lehtë të realizonte vizita familjare.

“Pastaj, arsye tjetër është se nuk pajtohet se është i paraburgosur pasi deklaron se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë provë që e dëshmon fajësinë e të paraburgosurit. Dhe, e treta është se ka kërkuar që të vizitohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe se deri më tani nuk është vizituar”, thuhet tutje në njoftim.

Lexoni më poshtë të plotë reagimin e KMLDNJ-së:

SHTETASI I SHQIPËRISË, D. GJ . NË GREVË URIE NË BURGUN E DUBRAVËS

Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i janë drejtuar me një kërkesë avokati mbrojtës Pjetër Përgjokaj, drejtoria e Q.P, në Pejë si dhe i paraburgosuri D. GJ. me një letër për ta vizituar të paraburgosurin D. Gj. i cili nga data 11. 05. 2021 ka hyrë në grevë urie në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

I paraburgosuri D. Gj. tani është transferuar në Burgun e Dubravës përkatësisht në njësinë ambulantore të kësaj qendre korrektuese ku është nën mbikëqyrje dhe përkujdesje të stafit shëndetësor, pasi ende është në grevë të urisë. I njëjti është vizituar edhe nga udhëheqësit e Burgut të Dubravës. Monitorues të KMDLNj–së, përkatësisht Zyra Rajonale në Pejë e ka vizituar të paraburgosurin D. Gj. në Qendrën e Paraburgimit në Pejë me datë 17.05.2021 sikur që ka biseduar edhe me drejtuesit e kësaj qendreje paraburgimi dhe të Burgut të Dubravës.

I paraburgosuri D. Gj., i lindur në Mirditë, banor i Velipojës, shtetas i Shqipërisë i ka deklaruar KMDLNj-së se është arrestuar në Shkodër me datë 02.05 .2020, me kërkesë së Prokurorisë së Kosovës dhe është ekstraduar në Kosovë me datë 19.04.2021 ku është mbajtur në ndalim policor prej 48 orëve në stacionin e Policisë, për t’u transferuar pastaj në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

I paraburgosuri ka deklaruar se dorëzimi i tij nga Stacioni i Policisë në Gjakovë deri në Qendrën e paraburgimit në Pejë ka zgjatur 48 orë duke e konsideruar si shkelje dhe dhunë psikologjike. KMDLNj konstaton se afati prej 48 orëve është afat ligjor deri kur mund të mbahet një i privuar nga liria në mbajtje në stacion policor andaj nuk sheh se ka pasur shkelje të drejtave të njeriut në rastin konkret. Më tej deklaron se i janë marrë atletet dhe se tërë natën ka qenë i zbathur sikur që katër (4) hetues policorë e kanë marrë në pyetje, pa praninë e avokatit mbrojtës. Tensioni i gjakut i është rritur dhe pasi në Q. P. në Pejë i kanë dhënë një gjilpërë deklaron se ka pasur hematomë në dorë për 10 ditë. Deklaron se gjatë transferimit nga stacioni policor në Gjakovë, deri në Q. në Pejë ka qenë i prangosur, se prangat i kanë shtrënguar duart maksimalisht dhe se nuk ka qenë i lidhur me rripin e sigurisë ndonëse, siç deklaron ai, shpejtësia ka qenë 140 km. Ka ankesa se në Q. P. në Pejë nuk është e vendosur Karta e OSBE–së për të drejtat e njeriut, se i është refuzuar kërkesa t’i bëhen analizat e urinës prandaj ka refuzuar të marrë hapat, pa ia bërë këto analiza. Gjithashtu, ka ankesa se ushqimi, përjashtuar drekën nuk është i cilësisë së mirë dhe se i është mohuar e drejta për komunikim duke ia lejuar vetëm komunikimin me tre (3) persona, prindërit dhe motrën, çdo të dytën ditë.

KMDLNj, si monitoruese e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në qendrat mbajtëse, të paraburgimit dhe qendrave korrektuese konstaton se; në çdo institucion ku mbahen personat e privuar nga liria është Rendi Shtëpiak ku janë të qartësuar të drejtat e personave të privuar nga liria dhe detyrimet dhe nuk është aspak detyruese të vendoset “Karta e OSBE–së për të Drejtat e Njeriut…” sepse një të tillë nuk e gjeni askund, as në vendet e rajonit që i ka vizituar KMDLNj–ë. Ushqimi është në përputhje me nevojat e të privuarve nga liria e në raste të veçanta mjeku e përcakton llojin e ushqimit që mund ta kenë të paraburgosurit e që nuk është në menynë e burgut. Gjithashtu, personeli mjekësorë, në bazë të vlerësimit të gjendjes shëndetësore ndërmerrë veprime për të bërë analiza të nevojshme dhe për caktimin e terapisë. Në rastin konkret, SHKK–ë ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe logjistike t’i bëjë analizat e urinës brenda SHKK–së ndërsa, për raste më të rënda, të privuarit nga liria dërgohen në Spitale Rajonale dhe në QKUK –ë. Gjithashtu, duhet të theksohet se gjatë kohës së paraburgimit , lejen për komunikim me familjarë apo persona të tjerë, kohëzgjatjen dhe dinamikën kohore për biseda telefonike apo edhe vizita fizike është nën përgjegjësinë ekskluzive të Gjykatës përkatëse dhe jo e personelit të institucionit mbajtës. Të paraburgosurit nuk mund t’i ndalohet kontakti me avokatin mbrojtës si dhe me organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Sa i përket pretendimeve për dhunë policore, KMDLNj është informuar se Inspektorati Policor i Kosovës është i njoftuar me rastin. Nga aspekti i respektimit të drejtave të njeriut , KMDLNj konstaton se veprimet policore gjatë transportit, qëndrimit në Q. P. në Pejë dhe tash në Burgun e Dubravës janë në përputhje me standardet minimale (që zbatohen në Kosovë dhe vendet e rajonit) të drejtave të personave të privuar nga liria .

Sipas KMDLNj–së, arsyeja e vërtetë e grevës së urisë në të cilën ka hyrë i paraburgosuri D. Gj. është refuzimi i transferimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për faktin se do ta kishte më lehtë të realizonte vizita familjare. Pastaj, arsye tjetër është se nuk pajtohet se është i paraburgosur pasi deklaron se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë provë që e dëshmon fajësinë e të paraburgosurit. Dhe, e treta është se ka kërkuar që të vizitohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dhe se deri më tani nuk është vizituar.


KMDLNj vlerëson se gjithmonë kur ka kushte dhe kur nuk ka pengesë nga Gjykata përkatëse, i paraburgosuri duhet të transferohet në një institucion ndalimi të afërt me vendbanimin e të arrestuarit në mënyrë që të mbajë kontakte të rregullta me familjen . Kështu e parashohin shprehimisht LESP dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve. Pastaj, nëse një të burgosuri i refuzohet kërkesa për transferim, kërkesën e radhës mund të bëjë vetëm pas gjashtë (6) muajve e që KMDLNj mendon se duhet të ndryshojë sepse nuk është në favor të personave të privuar nga liria.

KMDLNj, e as institucionet e mbajtjes nuk kanë mandat të paragjykojnë fajësinë apo pafajësinë e një të paraburgosuri apo të dënuari; institucionet e mbajtjes kanë detyrim ta zbatojnë vendimin e Gjykatës kompetente gjatë kohës së paraburgimit dhe të LESP-it, gjatë vuajtjes së dënimit ndërsa KMDLNj bënë monitorim të respektimit apo shkeljes së të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.

Sa i përket vizitës nga Ambasada e Shqipërisë për shtetasit shqiptarë që janë në burgjet e Kosovës, është përgjegjësi e Ambasadës dhe deri më tani Ambasada, përjashtuar rastet që janë shumë të rralla, nuk i ka vizituar shtetasit shqiptarë e që këtë pakënaqësi ia kanë shprehur gjatë çdo vizite monitoruese KMDLNj –së, shtetasit e arrestuar shqiptarë.

Krejt në fund, KMDLNj nuk përkrahë grevat e urisë në rast se ato përdoren si shantazh ndaj SHKK-së për arritjen e qëllimeve personale e që nuk janë nën përgjegjësi, as të SHKK–së e as të KMDLNj –së.