16:15 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

I caktohet masa e paraburgimit serbit që kreu krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special- gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.A për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative ë Jugosllavisë (KP i RSFJ), penalizuar si vepër penale krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve ndërkombëtare që zbatohen në konfliktin e armatosur nga neni 145 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe paragrafi 2 nën paragrafi 2.1, 2.8, 2.13 e 2.21 dhe veprën penale krime lufte në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe paragrafi 2 nën paragrafi 2.2, 2.3, 2.4 dhe 2.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit N.A i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Gjykata pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.A është e bazuar.

Gjykata vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
I pandehuri N.A është shtetas edhe i Republikës së Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit në Republikën e Serbisë dhe ekziston rreziku real se i njëjti mundë apo do ti shmanget ndjekjes penale.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.