I dënuar për vrasje/ Ky është serbi që u arrestua në Novi Pazar, pasi u arratis nga burgu i Mitrovicës së Veriut
Autoritetet në Serbi kanë arrestuar sot një person, i cili ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, për kryerjen e disa veprave penale.
Siç raportuan mediat serbe, i dyshuari në fjalë akuzohet të ketë kryer vrasje në Kosovë, teksa ishte arratisur edhe nga burgu.
Burime të IndeksOnline pohojnë se personi në fjalë është Gjorgj Radomiroviq.
Radomiroviq ishte arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, më 7 gusht të këtij viti.
Pas arratisjes së tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte pezulluar nga detyra drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë korrektues.
Radomiroviq ishte dënuar më 14 vjet e 6 muaj burg, për një vrasje të kryer në Kosovë.
Ai po ashtu kishte kryer disa vepra penale, përfshirë “Tentim vrasje”, “Posedim i armëve dhe substancave të dyshuara narkotike” si dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Mediat në Serbi bënë me dije se Radomiroviq u arrestua sot në Novi Pazar, aty ku po fshihej.
I dyshuari është i lidhur me disa grabitje të kryera në zonën e Novi Pazarit, përfshirë dhe grabitjen e një banke./IndeksOnline/

