I dërguari i Putinit thotë se lufta në Ukrainë “do të marrë fund brenda një viti”
I dërguari i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ka deklaruar gjatë një konference investimesh në Arabinë Saudite se lufta në Ukrainë mund të përfundojë brenda një viti.
Dmitriev bëri këtë deklaratë pas takimeve me zyrtarë të administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara fundjavën e kaluar. Vizita e tij pasoi njoftimin se samiti i planifikuar midis Trumpit dhe Putinit ishte shtyrë, raporton Reuters.
“Jemi të se jemi në rrugën e paqes dhe si paqebërës duhet ta bëjmë atë të ndodhë”, tha Dmitriev, i cili është gjithashtu drejtor ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte, para audiencës në Riad.
I pyetur nëse paqja në Ukrainë ishte e mundur brenda një viti, Dmitriev u përgjigj: “Unë besoj se po”.
Gjatë vizitës në SHBA, ai kishte deklaruar se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ishin afër “zgjidhjes diplomatike” për konfliktin në Ukrainë.
Dmitriev vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis SHBA-së, Arabisë Saudite dhe Rusisë si vendimtar për menaxhimin e burimeve natyrore globale dhe shtoi se një bashkëpunim i tillë do ta bëjë botën më të sigurt.
“Njerëzit tani janë të përqendruar në konfliktin rajonal që ekziston rreth Rusisë, por ne nuk duam që ai të përshkallëzohet në një konflikt më të madh. Dhe për këtë duhet të bëjmë më mirë nga sa kemi bërë deri më tani, jo më keq”, tha mes të tjerash Dmitriev.

