“I dyshuari në arrati”/ Policia jep detaje për të shtënat në drejtim të një polici në Pejë

IndeksOnline raportoi më herët për një incident të ndodhur në Pejë, ku u dëgjuan të shtëna me armë.
Të shtënat u dëgjuan në afërsi të stacionit policor të qytetit, teksa burimet e IndeksOnline pohuan se cak i tyre ishte një zyrtar policor.
Rastin ndërkohë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili njoftoi se incidenti në fjalë ndodhi rreth orës 16:08.
Gashi deklaroi për IndeksOnline se fatmirësisht zyrtari policor ka shpëtuar pa ndonjë lëndim serioz.
“Zyrtari policor sapo kishte dalur nga stacioni policor dhe ishte duke e kaluar rrugën në zebra, nga një veturë në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri. Për fat të mirë ai ka shpëtuar pa lëndime”, tha ai.
Gashi shtoi se i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht është në kërkim nga organet e rendit.
“I dyshuari është arritur të identifikohet dhe lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për kapjen e tij. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori dhe njësitet relevante. Aty janë gjetur edhe dy gëzhoja”, shtoi ai./IndeksOnline/