I dyshuari për krime lufte, mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës të pandehurit D.K., kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit deri më 01.11.2020, është vërtetuar.D.K. po dyshohet nga prokuroria se gjatë periudhës se luftës 1998-1999, kishte kryer veprën penale: Krime lufte kundër popullatës civile ne kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 te Ligjit te RSFJ-së, lidhur me nenin 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës e parapara me nenin 144 par.2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e shtypit, transmeton Indeksonline.
Gjykata e Apelit vlerëson se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e kishte kryer veprën penale, për të cilën dyshohet, ka bazë ligjore për caktimin e kësaj mase. Kjo ngase ka arsye të forta për të besuar se me gjetjen e tij në liri, ai do të mund të ikë ose arratiset më qëllim të shmangies se procedurës penale, të ndikoje në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejë ndonjë vepër tjetër penale. /Indeksonline/