16:57 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

I dyshuari për terrorizëm arrestohet katër ditë para fejesës

Një aksion i autoriteteve kosovare të sigurisë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka vënë në pranga dy të rinj. Që të dy janë arrestuar me dyshimin se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të sanksionuara sipas ligjit. Express ka mësuar identitetin e njërit prej të arrestuarave dhe ka qëndruar në familjen e tij në Vaganicë të Mitrovicës, nga ku sjell rrëfimin e tyre për ngjarjen.

Forca të shumta të policisë ia kishin mësyrë mëngjesin e sotëm shtëpisë së familjes Qamili në Vaganicë të Mitrovicës. Fillimisht u kishin bastisur shtëpinë, e më pas kanë nxjerr nga aty si të arrestuar, djalin tyre Berat Qamilin.

Arsyet për arrestimin e tij janë shpërndarja e propagandës në mbështetje të grupeve terroriste.

Në profilin e tij në rrjetin social, 27 vjecari Berat Qamili kishte shpërndarë disa fotografi në të cilat i thuren lavde flamurit të të ashtuquajturit Shtetit Islamik.

“Flamuri i vetëm që të bënë dobi në dunja dhe ahiret, flamuri i vetëm që meriton për të të sakrifikohet, flamuri i vetëm i cili meriton të ngritët, flamuri i vetëm që meriton me të të krenohesh”, thuhet në njërën prej fotografive që Qamili ka shpërndarë në profilin e tij.

“Muxhahidat do të shkelin me këmbët e tyre ligjet e kufrit dhe të qafirave në mbarë botën”, thuhet në një tjetër fotografi më tipare kërcënuese, që ai ka shpërndarë në profilin e tij.

Berati ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të ish-Imamit të dënuar për rekrutimin e të rinjve në organizata terroriste, Zekrija Qazimit. Po ashtu ligjëratat e hoxhës kontrovers Omer Bajramit, i cili njihet për deklaratën se martesa me vajzën e axhës nuk është e ndaluar, i ka shpërndarë vazhdimisht në profilin e tij.

Për arrestimin e tij ka folur Familja Qamili.

Vëllai i Beratit, Behxheti ka thënë se nuk e di se cilat janë arsyet e sakta të arrestimit të vëllait të tij, i cili deri sot ka punuar si rojë në një sallon auto pjesësh në Mitrovicë.

“Beratin e kanë arrestu sot në mëngjes, nuk e dimë hiç për çka. E kam pyet njërin prej policëve, më tha për do postime që i ka bërë në Facebook”, ka thënë i vëllai duke arsyetuar shpërndarjen e tyre si diçka të thjeshtë që mund ta bëjë çdo i ri tjetër.

“Qe tri katër ditë e ka nxan një nuse, edhe i ka thënë shefit a po më lejon se të dielën ma bien fjalën, edhe sot ndodhi kjo, krejt sokaku polici, 15 kerre një person, unë s’po muj me dit për çka. E praktikon fenë, 5 vakte i fal, gjithë në Xhami shkon falet. Ky deri në Prishtinë, ma andej nuk din me shkue”, ka thënë axha i Beratit kur është pyetur nga Express nëse nipi i tij ka qenë ndonjëherë në Siri.

Familjarët kanë thënë se Policia ka konfiskuar telefonin e Beratit dhe gjësende të tjera.

Arrestimin e 27 vjeçarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media. Por, aty bëhet e ditur se për motive të njëjta është arrestuar dhe një person tjetër në Lipjan.

“Sot me datën 20 dhjetor 2017, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka ndërmarrë një operacion në Mitrovicë dhe në Lipjan për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë.Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në stacionin e Policisë dy (2) persona’ thuhet në njoftim.

Policia thekson se “personat e arrestuar nga zyrtarët policorë, dyshohet se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të sanksionuara sipas ligjit 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”

“Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim.

Me urdhër të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve”, thuhet në komunikatën e Policisë