22:47 / E Enjte, 20 Janar 2022 / MSH

I ftohti polar, gjenden të vdekur 4 persona në kufirin ShBA-Kanada

Trupat e katër personave , përfshirë një foshnjë, u gjetën të mërkurën disa metra larg kufirit SHBA-Kanada, në një rrugë që përdoret zakonisht nga emigrantët e paligjshëm, tha sot policia kanadeze.

“Nga verifikimet e para, ne besojmë se të gjithë vdiqën nga hipotermia ,” tha Xhandarmëria Mbretërore e Kanadasë në një deklaratë, përcjell abcnews.al.

Foshnja dhe dy të rritur u gjetën të vdekur vetëm 12 metra larg kufirit me SHBA dhe 10 kilometra në lindje të Emerson, Manitoba. Trupi i një tjetër adoleshenti është gjetur pak më pas.

Të mërkurën në mëngjes, rojet kufitare amerikane panë një grup njerëzish që po kalonin kufirin. Njëri mbante sende për fëmijë, por mes tyre nuk kishte asnjë foshnjë. Më pas nisën hetimet në të dyja anët e kufirit. Pas katër orësh dhe ndërkohë që në zonë mbizotëronin kushte shumë të vështira atmosferike, u gjetën trupat.

Kombësia e viktimave nuk dihet. Policia po punon për identifikimin e tyre dhe po vijon hetimet në vendngjarje.

Në një konferencë për shtyp, Zëvendës Shefi i Policisë së Manitobës, Jane McLachi tha se katër personat ndoshta ishin “të braktisur vetëm në mes të një stuhie ” dhe të ftohtit polar, pasi temperaturat në zonë kishin rënë në -35 gradë.