22:03 / E Enjte, 21 Shkurt 2019

I heshtur në jetë, shpërthyes në krijimtari

Shkrimtari relativisht i ri, por i fuqishëm në krijimtarinë letrare, Ag Apolloni (1982), përuroi librin me ese – “Mesjeta ime”, i botuar sivjet nga OM në Tiranë.

Ky libër, i 10-ti me radhë përurohet në vendlindjen e tij – Kaçanik.

Për të folën vëllai i tij, Beni – regjisori dhe Besnik Jaha, letrar.

Beni citoi një fragment për atë se ç’është Stagova, stagovalia…

Besniku për autorin tha se është i heshtur në jetë, por shpërthyes i madh. E zuri në gojë romanin e autorit “Ulurima e ujkut” (2013).

Ag Apolloni iu falënderu të pranishmëve ne sallën e madhe të Pallatit të Kulturës.

Libri flet sa për mua, aq edhe për Kaçanikun. Flet për problemet që na preokupojnë të gjithëve, tha ai.

Citon autorin e “Komedisë hyjnore”

 Dante Aligherin, që shkroi në moshën 35 vjeçare: “N’mes të udhëtimit të tonës / E gjeta veten në nji pyll të errët / se e kisha humbur rrugën e drejtë”.

Gjithashtu i citon shkrimtarët, gjermanin Hermann Hesses dhe grekun Nikos Kazantzakisin.

Në librin e tij me elemente autobiografike, Ag Apolloni shkruan:

Jeta ime e shekullit njëzet lidhet me qytetin shpirtëror të Vezirit të Madh, Koxha Sinan Pasha, pra me Kaçanikun, kurse jeta ime e shekullit njëzet e një lidhet me kryeqytetin e Kosovës, pra me Prishtinën. Soundtrack i jetës sime në vendlindje ka qenë Michael Jackson, ndërsa në kryeqytet: Eric Clapton.

Njëri nga pjesëmarrësit e këtij takimi kulturor, Ekrem Raka shprehu opinionin e tij. Ai tha: Ag Apolloni është shkrimtar i veçantë dhe i thellë sa deti. Edhe pse relativisht i ri, ai i ka prekur kufijtë kombëtar të njohjes, ndërsa i ka mbetur t’i prek edhe kufijtë ndërkombëtar të njohjes.

Shkruan: Agim Muhaxheri

P. S. Në holin e tempullit të kulturës, kurreshtarët e shumtë e blenë librin e Apollonit dhe prisnin në radhë për të marrë autografin e tij.