75 Mall Live Search
10:02 / E Shtunë, 26 Prill 2025 / MSH

I jep fund jetës Giuffre, gruaja që e akuzoi për abuzim seksual princin Andrew

Virginia Giuffre, një nga zërat më të fuqishëm në luftën kundër abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi familja.

Sipas deklaratës së të afërmve, ajo humbi jetën nga vetëvrasja në fermën e saj në Neergabby, Australi Perëndimore, pas një lufte të gjatë me traumën që kishte përjetuar.

Zonja Giuffre u bë e njohur ndërkombëtarisht pasi akuzoi miliarderin Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell për trafikim seksual, duke pretenduar se ajo u detyrua të kryente marrëdhënie seksuale me Princin Andrew të Britanisë kur ishte vetëm 17 vjeçe, akuza të cilat Princi i mohoi kategorikisht. Në vitin 2022, ai arriti një marrëveshje jashtë gjykate me zonjën Giuffre, pa pranuar faj apo përgjegjësi.

Në deklaratën prekëse të familjes, ajo përshkruhet si “një luftëtare e ashpër kundër abuzimit seksual”, ndërsa thuhet se “shuma e dhimbjes dhe abuzimit që kishte përjetuar gjatë jetës u bë e padurueshme”. Ajo ishte nënë e tre fëmijëve dhe aktiviste e njohur, e lidhur ngushtë me lëvizjen globale Me Too, duke frymëzuar qindra të mbijetuar të tjerë që të flisnin hapur.

Policia e Australisë Perëndimore konfirmoi se u thirr në një banesë në Neergabby të premten në mbrëmje, ku Giuffre u gjet pa shenja jete. Ndërkohë, një hetim nga krimet e mëdha është në vazhdim, por autoritetet theksojnë se indikacionet e para tregojnë se “vdekja nuk është e dyshimtë”.

Zëdhënësja dhe përfaqësuesja e saj për një kohë të gjatë, Dini von Mueffling, e përshkroi atë si “një nga qeniet njerëzore më të jashtëzakonshme që kam pasur nderin të njoh”, duke shtuar se “ishte fener për të mbijetuarit dhe viktimat e tjera”.

Giuffre së fundmi kishte përjetuar edhe një aksident me makinë, për të cilin kishte bërë një postim të shkurtër në Instagram tre javë më parë. Megjithatë, policia e mohoi që incidenti të kishte qenë aq i rëndë sa u përshkrua në disa raportime.