75 Mall Live Search
08:39 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / AR

I jep fund jetës nipi i “gjeneralit” të bandës famëkeqe në Tiranë, detajet e para

Një person është gjetur i pajetë poshtë urës së njohur si “Fshatit Fshat”.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se viktima mund të jetë vetëhedhur gjatë orëve të natës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë së Shqipërisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave. Gjithashtu, një grup shpëtimi ka ndërhyrë për nxjerrjen e trupit nga zona ku është gjetur.

Policia po vijon hetimet për identifikimin e viktimës dhe për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para emri i viktimës është Klodian Kulla, djali i vëllait të Nehat Kullës.

Kujtojmë se Nehat Kulla, i cili ndërroi jetë në 2020, një vit pasi doli nga burgu, njihej me nofkën gjenerali dhe se në vitin 1997 drejtonte një prej bandave më famëkeqe të Tiranës.

Kulla ka shlyer në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20-vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin e “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve.

Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.