08:15 / E Hënë, 30 Shtator 2019 / indeksADMonline

I kishin ofruar punë si masazhiere, taksisti “hero” shpëton gruan shtatzënë nga trafikantët

Një keqbërës tentoi të trafikonte një grua shtatzanë, por ai nuk e priste atë që ndodhi më pas. Gruaja u shpëtua nga shoferi i taksisë, i cili e kuptoi se ajo ishte e shqetësuar dhe hyri në makinë pa vullnetin e saj.

Policia e West Midlands në Britaninë e Madhe zbuloi pamjet e kamerave, ku shoferi Tahir Mehmood e shpëtoi gruan, pasi telefonoi autoritetet.

Taksisti u vlerësua nga policia, pasi veprimi i tij pengoi që gruaja shtatzanë të robërohej e trafikohej kundër vullnetit të saj.

Gruaja nga Rumania, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, mbërriti në Aeropotin e Luton në 16 shkurt të vitit 2018, pasi iu ofrua punë nga Robert Enescu për të punuar si masazhiere në Mbretërinë e Bashkuar.

Por kjo ofertë pune rezultoi një mashtrim, pasi ajo u mbajt peng nga Enescu në një bordello në Londër, ku u detyrua të pozonte me të brendshme. Fotot e saj shiteshin në internet me para.

Në 20 shkurt, 26-vjeçari Enescu, thirri një taksi që ta dërgonte gruan në një banesë me qira për të nisur aktivitetin si punonjëse rruge.

Duke folur për “Birmingham Live” për fatkeqësinë, Mehmood tha:

‘’Burri më pyeti nëse mund ta çoja në Rrugën St Christian. Zonja u fut në kabinë. Sapo bëmë pak rrugë, pashë që gruaja u mërzit dhe nisi të qante. Unë e pyeta: “Pse po qan?”. Më pas ndalova makinën dhe i thashë: Të lutem, më thuaj vetëm çfarë ka ndodhur. ’ Ajo më tha: ‘As vetë s’e di ç’po më ndodh, thjesht erdha këtu katër ditë më parë, që të punoja si masazhiere, por ata po më detyrojnë që të dal në rrugë. Unë nuk dua ta bëj këtë gjë.”

Taksisti Mehmood, i cili është baba i dy fëmijëve, thirri policinë, e cila shoqëroi gruan në komisariat për ta marrë në pyetje.

Të nesërmen, policia zbarkoi tek bordelloja në fjalë dhe shpëtoi disa vajza të tjera që ishin skllavëruar tashmë.

26-vjeçari, Enescu, u arrestua në shtëpinë e tij në Kingfield Road, Coventry.

Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg, por ai u lirua me kusht dhe momentalisht është ende në arrati.

Policia e West Midlands në bashkëpunim me agjencinë ligjzbatuese të BE-së, Europol dhe të gjitha njësitë policore në Mbretërinë e Bashkuar, po punojnë për kapjen dhe sjelljen para drejtësisë të 26-vjeçarit.

Mehmood mori vlerësime edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë në Mbretërinë e Bashkuar./