12:58 / E Premte, 04 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mbetet pa karburant, rrëzohet një avion afër aeroportit në Ukrainë – 5 të vdekur

Një aeroplan transporti është përplasur në tokë afër aeroportit Lviv në perëndim të Ukrainës. Nga incidenti kanë mbetur të vdekur të paktën 5 persona.

Antonovit-12 i kishte mbaruar karburanti para se të mbërrinte në Lviv, ku do bënte aterrimin e planifikuar gjatë fluturimit nga Vigo e Spanjës, drejt Stambollit.

Ministria e Emergjencave tha se aeroplani kishte një ekuipazh prej shtatë personash, ndërsa një tjetër po e shoqëronte ngarkesën.

Nuk është e qartë se çfarë po transportonte aeroplani.

Agjencia e lajmeve ukrainase Unian raportoi se bëhej fjalë për një aeroplan me ngarkesa ushtarake.

Ndërsa ishte planifikuar që të mbushej me karburant në Lviv.

Aeroplani me 4 motorë u zhduk nga radari në orën lokale 07:00 të mëngjesit të së premtes, ndërsa po afrohej në aeroportin ndërkombëtar Lviv. Ai u rrëzua vetëm 1.5 km larg aeroportit dhe nuk shpërtheu në flakë.

Aeroplani u përplas në një tokë me bimësi pranë një stadiumi futbolli dhe një varreze.