I mbijetoi aksidentit ku humbën jetën 241 persona, rrëqeth 39-vjeçari: Jam njeriu më me fat që ka mbetur gjallë, por po vuaj
Viswashkumar Ramesh, i vetmi person që mbijetoi në aksidentin ajror të Air India-s ku humbën jetën 241 persona, ka rrëfyer dramën e tij të rëndë fizike dhe psikologjike.
39-vjeçari, i cili u pa duke ecur i gjallë mes flakëve dhe tymit nga rrënojat e avionit Boeing 787 në Ahmedabad, thotë se ndihet “njeriu më me fat”, por njëkohësisht “i thyer në shpirt”.
Fluturimi me destinacion Londrën u përfshi nga flakët vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista, duke shkaktuar një tragjedi që tronditi botën. Mes jetëve të humbura ishte edhe vëllai i tij, Ajay, i cili ndodhej vetëm disa vende larg tij.
Në një intervistë për BBC, Ramesh, me sytë e mbushur me lot, tha se ende nuk e beson që është gjallë. “Jam i vetmi që shpëtova… ende nuk më besohet. Është një mrekulli. Por humba vëllain tim… ai ishte shtylla ime, njeriu që më mbështeste çdo ditë”, tha ai.
Që prej kthimit në Leicester, ku jeton me familjen, Ramesh vuan nga stresi i fortë post-traumatik (PTSD). Ai nuk flet me gruan dhe djalin e tij 4-vjeçar, ndërsa ditët i kalon i izoluar në dhomë.
“Jam vetëm… nuk dua të flas me askënd. Natë për natë mendoj. Jam duke vuajtur. Çdo ditë është e dhimbshme për familjen time”, rrëfen ai mes lotësh.
Ramesh pësoi dëmtime në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë, dhe thotë se ende ecën me vështirësi. Ai nuk ka mundur të punojë as të drejtojë makinën që nga qershori, ndërsa biznesi familjar i peshkimit në Diu është mbyllur.
Mamaja e tij, sipas familjarëve, nuk ka folur për muaj të tërë pas lajmit tragjik.
Ndërkohë, këshilltarët e tij akuzojnë Air India-n se ka dështuar t’i ofrojë kujdesin e duhur psikologjik dhe financiar pas aksidentit.
Air India ka ofruar vetëm 21,500 paund si kompensim të përkohshëm, shumë që familja e konsideron të pamjaftueshme.
Sipas këshilltarëve, kompania ajrore ka refuzuar tre kërkesa për takim me familjen.
Ndërkohë, hetimi për aksidentin vazhdon, pasi raporti paraprak ka zbuluar se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes.

