75 Mall Live Search
22:21 / E Premte, 03 Prill 2026 / MSH1

I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke sharë rëndë stafin e Odës

Një zhvillim i papritur ka ndodhur në Odën e Avokatëve të Kosovës, ku avokatit Nasuf Hasani i është marrë licenca e ushtrimit të profesionit.

Kjo është bërë për shkak se avokati Hasani kishte refuzuar të përmbushte obligimet financiare ndaj Odës, në përkim me rregulloren e këtij organi, shkruan IndeksOnline.

Në një audio-incizim të siguruar nga IndeksOnline, Hasani shfaqet me një gjuhë të ulët denigruese ndaj punonjësit të Odës, me këtë të fundit që i kërkon të kryejë pagesën e kërkuar.

Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për një situatë të re, pasi Hasani ka kohë që nuk i ka kryer obligimet financiare të anëtarësisë, pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të OAK-ut.

Licenca iu mor si masë disiplinore dhe për pasojë të shmangies së obligimeve bazike kundrejt institucionit. E, nga ana tjetër, avokati Nasuf Hasani ka “shpërthyer” edhe publikisht në akuza të rënda ndaj kryetarit të Odës së Avokatëve.

“Bazuar në nenin 39, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Ligjit Nr. 04/L-193 për Avokatinë, unë kam në dispozicion një (1) vit të plotë për përmbushjen e këtij obligimi ndaj OAK-së. Për rrjedhojë, çdo “vendim” i imponuar nga Krimineli Besnik R. Berisha dhe servilët e tij Naim Rudari, Elvir Imeri, Selami Rexhepi dhe Milot Krasniqi është i kundërligjshëm, arbitrar dhe juridikisht i pavlefshëm.

Ky veprim nuk është asgjë tjetër përveçse një dëshmi e qartë e kapjes së Odës së Avokatëve nga individë që veprojnë në mënyrë të njëanshme, abuzive dhe në kundërshtim me çdo standard ligjor dhe profesional” ka shkruar Hasani.

Duke thënë se e konsideron veten të dëmtuar nga kjo situatë, vendimin e OAK-ut Hasani e quan si arbitrar dhe të kundërligjshme.

“Njëkohësisht, ua bëj të qartë kriminelit Besnik R. Berisha dhe servilëve të tij të lartpërmendur,  se nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj, në asnjë rrethanë, që individ si këta të më cenojnë dinjitetin tim profesional, ekzistencën time dhe mirëqenien e familjes sime” ka shkruar Hasani, në reagimin e tij./IndeksOnline/