20:48 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

I ndërpritet paraburgimi Laureta Zybës, e dyshuar për bashkëpunim me grupin kriminal nga Mali i Zi 

Është ndërprerë masa e paraburgimit për Laureta Zybën, e cila muaj më parë ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, me dyshimin se kishte bashkëpunuar me tre shtetas të huaj, të dyshuar për vrasje të kryera jashtë vendit.

Sipas avokatit të saj, Fanol Krasniqi, Gjykata gjatë ditës së djeshme ka vendosur që të ndërpres masën e paraburgimit për Zybën dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e lajmërimit në stacionin policor.

Në një prononcim për Indeksonline, Krasniqi ka thënë se nuk është gjetur asnjë provë se klientja e tij ka poseduar armë apo narkotik, për të cilën edhe është arrestuar.

“Me kërkesën time si avokat i saj, Laureta Zyba është liruar nga paraburgimi dje pasdite në ora 16:00. Pra, asaj i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i është shndërruar masa me lajmërimin në stacionin policor. Marrja e saj në pyetje është bërë të hënën në Prokurori dhe Gjykata është informuar se ajo është marrë në pyetje dhe e njëjta ka vendos ta ndërprerë masën e paraburgimit”, ka thënë Krasniqi.

Ai shpreson që nuk do të ngritët fare aktakuzë ndaj klientes së tij, me arsyetimin, se nuk ka asnjë provë që dëshmon përfshirjen e saj në ndonjë vepër të jashtëligjshme.

“Njëri nga të dyshuarit e arrestuar, Marko Millosheviq ka dhënë deklaratën e tij duke thënë se nuk ka qenë e përfshirë Laureta në asnjë vepër të kundërligjshme, për këtë arsye edhe i është ndërprerë kjo masë. Tani janë duke vazhduar ende hetimet dhe ekspertizat dhe pastaj do të ngritën aktakuzat. Nuk besoj që do të  ngritët aktakuzë për Lauretën pasi vetëm nuk ka prova dhe për këtë arsye edhe i është ndërprerë paraburgimi. Pra, ndoshta edhe pushohet krejt procedura ndaj saj, por e njëjta është njëherë në paraqitjen e saj në polici”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në korrik të këtij viti policia pati arrestuar edhe 2 shtetas malazezë dhe një serb, të cilët, në përjashtim të Laureta Zybës, dyshoheshin se kanë kryer vrasje jashtë vendit dhe të njëjtit kërkoheshin nga Interpoli.

Laureta ishte valltare në disa klube të natës në Kosovë dhe e njëjta dyshohej se ka bashkëpunuar me rrjetin kriminal gjatë kohës sa ata qëndronin në Kosovë./Indeksonline/

Kjo është bashkëpunëtorja kosovare e grupit kriminal nga Mali i Zi (Foto)