I nervozuar me humbjen, Solskjaer kapet me menaxherin e Pogbas

Ole Gunnar Solskjaer, i dëshpëruar pas humbjes 3-2 të Manchester Unitedit ndaj Leipzigut në raundin e fundit të ndeshjeve në grupe të Championsit u ngacmua për fjalët e Mino Raiolasit, i cili i bënte presion klubit anglez që ta shiste klientin e tij, Paul Pogba, ndryshe do të largohet me parametrin zero.
Futbollisti francez u aktivizua në minutën e 61-të dhe pati impakt (ndikim) në lojën e Unitedit, me rezultatin që u ngushtua nga 3-0 në 3-2, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Trajneri norvegjez e lëshoi një “shigjetë” për Raiolanin, duke theksuar se klubi dhe menaxheri i futbollistit duhet të punojnë së bashku.
“Skuadra është e mirë, futbollistët punojnë së bashku. Do të jetë më mirë që menaxheri i Pogbas ta kuptojë që futbolli është një sport ekipor dhe ne punojmë së bashku. Këto janë fjalët e fundit që do të them për këtë temë. Nuk dua të harxhoj energji për këtë.”
I pyetur nëse ka folur me Pogban për komentet e fundit të Raiolasit, Solskjaeri tha:
“E dini, ajo për të cilën flasim në prapaskenë është diçka tjetër. Siç e thashë, nuk do të flas më për menaxherin e Paul Pogbas. Ju duhet ta pyesni futbollistin nëse ai është i lumtur apo i pakënaqur. Ai është i përqendruar të bëjë më të mirën për ekipin, po punon shumë në stërvitje dhe vetëm duhet të përqendrohet në performancat e tij. Tani nuk është koha për të diskutuar për merkaton, se kush do të largohet e kush do të vijë.”
Manchester Unitedi do të vazhdojë garat në Europa League pasi përfundoi në vendin e tretë në grup pas Leipzigut dhe PSG-së. /IndeksOnline/